Nis nga Elbasani fushata ndërgjegjësuese për tetorin rozë “Ia vlen të jetosh”
Në Elbasan nisi sot fushata e “Tetorit rozë” me sloganin “Ia vlen të jetosh”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Në ceremoninë e zhvilluar e këtë rast ishte e pranishme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, deputetw, gra dhe vajza etj.
Në fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “për fat të keq kanceri i gjirit është një sëmundje që po përhapet, shifrat tregojnë që ka rritje të numrit të rasteve të grave dhe vajzave të prekura nga tumori”.
Ajo theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta për gratë dhe vajzat, duke bërë apel për diagnostikim të hershëm që rrit shanset për mbijetesë deri në 99%. Ministria njoftoi ofrimin e mamografive falas në çdo qytet dhe zonë rurale, duke përmendur edhe lehtësirat e platformës e-Albania për njoftimin e grave mbi ekzaminimet e nevojshme. Ministrja nënvizoi rëndësinë e investimeve të fundit në shëndetësi, duke përfshirë njësitë lëvizëse të mamografisë dhe përmirësimin e trajtimeve onkologjike.
Ministrja Koçiu u shpreh se, “duhet të rrisim shumë ndërgjegjësimin, sepse mjekësia rekomandon që nëse ne arrijmë ta kapim herët, ta diagnostikojmë më herët, shanset janë shumë të mëdha për të dalë fitimtarë me sukses. Shifrat tregojnë se 99 % e rasteve të zbuluara herët mund të shpëtojnë jetën”.
Më tej Koçiu tha se, “zgjodhëm për të hapur në Elbasan “Tetorin rozë”, por ashtu si e thamë për fat të keq në këtë qytet nuk i kemi shifrat me ne, që do të thotë se rastet janë shtuar dhe këto raste rezultojnë më së shumti në kohën kur sëmundja ka filluar të fitojë terrenin e saj në trupin e gruas”.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije disa nga risitë e kësaj fushate duke ofruar dhe krijuar lehtësi për çdo grua në çdo qytete dhe zonë rurale për të kryer mamografi falas.
“Çdo ditë nga data 1 deri në 31 tetor, nga e hëna në të premten, nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës dhe të shtunën nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 2 të drekës, do t’ju mundësohen kontrolle, në spitalet apo qendrat pranë vendbanimit tuaj, të cilat ofrohen si gjithmonë falas. Gjithashtu kemi punuar për të ofruar nëpërmjet platformës e-Albania shërbime lehtësuese, për ta bërë më të lehtë e më të shpejtë procesin e kryerjes së këtyre kontrolleve. Së pari, vajzat dhe gratë e moshës 30- 50 vjeç do të marrin një mesazh njoftuese në llogarinë e tyre në e-Albania, që do t’ju kujtojë dhe ftojë për të bërë ekzaminimet e nevojshme. Gratë 50-70 vjeç, do të marrin një mesazh njoftuese në llogarinë e tyre në E-Albania, që do t’ju kujtojë dhe ftojë për të bërë periodikisht mamografinë e radhës”. Përgjigjet për mamografitë do të vijnë tek pacientët gjithashtu përmes portalit e-Albania, duke ofruar kështu një tjetër shërbim të shpejtë dhe të sigurt”, deklaroi Koçiu.
Krahas qendrave spitalore qendrore e rajonale, ministrja tha se janë edhe njësitë lëvizëse që do të mundësojnë mamografi edhe në zonat më të thella të Shqipërisë.
Koçiu shtoi se falë avancimeve shkencore që po ndodhin në botë, e falë edhe gjithë investimeve që janë bërë në sistemin tonë shëndetësor ne mund të asistojmë këdo, për ta fituar betejën ndaj tumorit të gjirit.
Në fund të fjalës së saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “ne nuk e ndalojmë dot sëmundjen e shekullit, por mund ta parandalojmë e ta sfidojmë atë. Mjafton të jemi të kujdesshëm në kontrollet e vazhdueshme. Mjafton të mos presim vetëm Tetorin Rozë që të na e kujtojë përmes fjongos rozë e përmes aktiviteteve të ndërgjegjësimit se sa forcë mund të kemi mbi sëmundjen nëse e parandalojmë atë”.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, iu bëri thirrje grave të kryejnë mamografinë, duke theksuar se kjo sëmundje prek shumë familje. Ai vlerësoi investimet në sistemin shëndetësor që kanë përmirësuar kushtet për diagnostikim dhe trajtim. Llatja theksoi se tendat lëvizëse do të jenë të pranishme në zona të ndryshme për të siguruar akses të gjerë për gratë e Elbasanit.
“Është një moment i vështirë për çdo nënë, grua dhe vajzë, pasi shumë prej nesh kemi përjetuar raste në familje me këtë sëmundje dhe jo të gjitha kanë mundur ta kapërcejnë. Ndaj, i bëj thirrje të gjitha grave të kryejnë mamografinë dhe të përballen me sëmundjen duke e kapur atë në fazat e hershme”, tha Llatja.