Nisin procedurat për bypass-in e Elbasanit, segmenti 4.2 km në Bradashesh
Po hidhen hapat konkretë për realizimin e Bypass-it të Elbasanit, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që synon lehtësimin e trafikut në këtë zonë me ngarkesë të lartë qarkullimi.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, punimet për segmentin e ri pritet të nisin gjatë vjeshtës dhe parashikohet që të përfundojnë brenda një periudhe dyvjeçare. Projekti përfshin një gjatësi prej 4.2 kilometrash dhe do të nisë në zonën e Bradasheshit, në lidhje me autostradën Elbasan–Tiranë.
Rruga e re do të vijojë në një terren kryesisht fushor, duke ndjekur drejtimin përgjatë lumit Shkumbin, për t’u lidhur më pas me Korridorin VIII, një nga akset më të rëndësishme rrugore në vend dhe në rajon.
y investim vjen si përgjigje ndaj fluksit të lartë të qarkullimit në këtë segment. Aktualisht, sipas të dhënave zyrtare, rreth 18 mijë deri në 20 mijë automjete e përshkojnë çdo ditë këtë aks që kalon përmes qytetit të Elbasanit, duke u ndërthurur me shumë rrugë dytësore dhe zona rurale, gjë që shpesh shkakton trafik të rënduar dhe radhë të gjata mjetesh.
Në fundjavë, numri i mjeteve rritet ndjeshëm, duke arritur në mbi 30 mijë deri në 35 mijë automjete në ditë, çka e bën edhe më të domosdoshëm ndërtimin e bypass-it për të devijuar qarkullimin tranzit jashtë zonës urbane.
Ky projekt pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, të rrisë sigurinë rrugore dhe të lehtësojë ndjeshëm ngarkesën në qytetin e Elbasanit, duke krijuar një lidhje më efikase mes korridoreve kryesore të transportit në vend
KOHA JONË SONDAZH

