Nisin trajnimet për shkollat me Smartlab-e të reja, Manastirliu: Synojmë integrimin e aftësive digjitale në kurrikulën mësimore
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, ka filluar trajnimin e stafeve arsimore për rritjen e aftësive digjitale për përdorimin efektiv të Smartlab-eve. Ky trajnim kryhet në kuadër të projektit të Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare që është në fazën e dytë të tij për instalimin e 216 Smartlab-eve në 200 shkolla në vend.
Në fazën e parë të trajnimit, ku u angazhuan Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, i Histori-Filologjisë, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës u përfshinë në trajnim 200 drejtorë shkollash dhe 52 përfaqësues të zyrave të arsimit parauniversitar.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ndoqi nga afër trajnimin në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ku theksoi rëndësinë e këtij trajnimi për përmirësimin e aftësive digjitale të drejtuesve të shkollave dhe mësuesve.
“Në strategjinë tonë për rritjen e aftësive të mësuesve dhe zhvillimin profesional të tyre, një prej komponentëve më të rëndësishëm është rritja e kompetencave dhe aftësive digjitale, duke trajnuar mësuesit me metodat më efektive të mësimdhënies, përfshirë dhe aftësitë digjitale që janë të nevojshme për t’u integruar në të gjithë kurrikulën mësimore”, tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu theksoi se ky trajnim, synon të pajisë stafet arsimore me aftësi dhe kompetenca digjitale të nevojshme për të përgatitur nxënësit për sfidat e shekullit XXI.
“Janë 216 laboratorë Smart të instaluar, një aset më shumë, pasi, jo vetëm që kemi mundësi që tashmë me kodimin që në klasën e parë të fillojmë të rrisim aftësitë digjitale të nxënësve, por nga ana tjetër të përdorim këto asete edhe në lëndë të tjera. Do të rifreskojmë të gjitha aftësitë e mësuesve dhe do t’i pajisim ata me aftësi të reja digjitale, në shërbim të rritjes së aftësive të nxënësve për t’i përgatitur ata për sfidat e shekullit XXI. Deri tani janë më shumë se 35 mijë fëmijë që kanë përfituar aftësi digjitale nga ky investim i qeverisë shqiptare” përfundoi Ministrja.
Pas 100 laboratorëve të parë Smart, janë 216 laboratorë të tjerë që sapo janë instaluar në shkollat tona. Synojmë që më shumë se 640 shkolla të jenë pjesë e këtij programi, duke finalizuar këtë investim madhor të qeverisë shqiptare për rritjen e aftësive digjitale të nxënësve, duke filluar nga klasa e parë.