Nisja e vitit të ri akademik, del rregullorja sesi do të zhvillohet mësimi. Studentët kanë 16 përgjegjësi

Më datë 2 nëntor nis viti i ri akademik dhe sipas rregullores, në Universitet do të ketë vetëm një hyrje dhe dalje, dhe 14 ditë mësim online nëse një mësues ose nxënës del me Covid-19. Kjo rregullore ka si objekt përcaktimin e rregullave, procedurave dhe mekanizmave për mbrojtjen nga infeksioni i Covid-19 dhe për sigurimin e funksionimit normal të Universitetit të Tiranës në kushtet e pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19.

Rregullorja përcakton masat që duhet të zbatohen në të gjitha njësitë përbërëse nga personeli akademik, ndihmësakademik, administrativ dhe studentët, për garantimin e mospërhapjes së infeksionit të virusit Covid-19, në të gjitha rastet kur është e domosdoshme të kryhet veprimtari akademike dhe adminsitrative me prani fizike të studentëve dhe të personelit akademik, ndihmësakademik dhe administrativ në ambientet e Universitetit të Tiranës.

Mbajtja e maskave nga studentët dhe personeli në mjediset e brendshme dhe të jashtme të njësive, (auditorë, laboratorë, bibliotekë, zyra, korridore, oborre rrethues) është e detyrueshme. Gjatë procesit mësimor, studentët dhe personeli akademik qëndrojnë në auditor, laborator, bibliotekë duke respektuar distancimin të paktën 1.5-2 m. Po kështu nuk lejohet konsumimi i ushqimeve në auditor, laborator, bibliotekë, korridore si dhe lëvizja brenda ambienteve, përfshirë korridoret bëhet duke respektuar distancën të paktën 1.5-2 m nga njëri-tjetri.

Qëndrimi dhe mësimi në auditor, laborator, bibliotekë

Gjatë procesit mësimor, studentët dhe personeli akademik qëndrojnë në auditor, laborator, bibliotekë duke respektuar distancimin të paktën 1.5-2 m. Personeli akademik dhe laborantët gjatë procesit mësimor në një ambient, kanë përgjegjësinë dhe verifikojnë që në auditor dhe laborator të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato si dhe të kontrollojnë respektimin e distancës ndërmjet studentëve. Hyrja dhe qëndrimi në bibliotekë lejohet vetëm për raste të domosdoshme sipas vlerësimit të punonjëses së bibliotekës duke respektuar distancën fizike. Punonjësi është përgjegjës për respektimin e distancës fizike, numrin e lejuar të studentëve dhe respektimin e rregullave për mbajtjen e maskës. Nuk lejohet konsumimi i ushqimeve në auditor, laborator, bibliotekë, korridore.

Lëvizjet në ambientet e brendshme

Lëvizja e studentëve në auditorë, laboratorë dhe nëpër korridore, duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të. Studentët do të hyjnë vetëm në sallën e përcaktuar për ta, do të përdorin vetëm tualetin në korridorin ku ndodhet salla e tyre, pa u takuar asnjë moment me studentët e grupeve ose programeve të tjera. Rregullat për lëvizjen e studentëve duhet të jenë të afishuara në mjediset e brendshme të njësive përbërëse. Nuk lejohen qëndrimet në korridore. Lëvizja brenda ambienteve, përfshirë korridoret bëhet duke respektuar distancën të paktën 1.5-2 m nga njëri-tjetri.

Dezinfektimi dhe higjiena

Studentët, personeli akademik dhe administrativ dezinfektojnë duart gjatë hyrjes/daljes në/nga auditori, laboratori, zyra, tualete duke përdorur mjetet dizinfektues për këtë qëllim në katin përkatës. Administrata siguron ujë të rrjedhshëm, sapun të lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xhel me përmbajtje alkooli 60% në ambientet e njësive përbërëse. Dezinfektimi i çdo auditori dhe zyre kryhet çdo ditë. Sipërfaqet e tavolinave në auditorë, laboratorë, zyra dhe pajisjet që ndodhen në to, dezinfektohen pas çdo aktiviteti mësimor dhe administrativ duke përdorur lëndë dezinfektuese. Sigurohet ajrosja e vazhdueshme e auditorëve, laboratorëve, bibliotekës, zyrave para, gjatë dhe pas veprimtarisë mësimore dhe administrative. Korridoret ku zhvillohet veprimtaria mësimore dhe administrative pastrohen/dezinfektohen çdo dy orë. Tualetet pastrohen/dezinfektohen çdo 30 minuta. Dorezat, parmakët dhe sipërfaqe të tjera në mjediset pranë auditorit, laboratorit ku zhvillohet veprimtaria mësimore dhe administrative pastrohen/dezinfektohen çdo 30 minuta. Në përfundim të procesit mësimor, administrativ, ambjenti përkatës dezinfektohet dhe mbyllet për t’u përdorur ditën vijuese të mësimit/punës. Personeli nuk do të përdorë mjetet e punës së njëri-tjetrit. Studentët dhe personeli do të shmangin maksimalisht marrjen në institucion të objekteve personale të panevojshme. Në rast të përdorimit të një mjedisi (auditor/ laborator etj) nga një grup studentësh, përdorimi i mëpasshëm i këtyre mjediseve nga grupe të tjerë studentësh do të bëhet vetëm pas dezinfektimit të tyre.

Përgjegjësi të studentit

1-Të hyjë në godinë vetëm nëse do të firmosë formularin e vetëdeklarimit për situatën e tij shëndetësore dhe të familjarëve të tij, e cila shërben për të hetuar paraprakisht mundësinë e një vatre infeksioni Covid-19 dhe deklaratën personale për njohjen dhe respektimin e kësaj rregulloreje (Shtojca 1 dhe 2).

2-Të njohë dhe të zbatojë rregulloren për masat mbrojtëse nga infeksioni i shkaktuar nga Covid-19. Rregullorja do t’i bëhet e njohur nëpërmjet afishimit në këndin e njoftimeve, publikimit në faqen zyrtare të internetit dhe median sociale të institucionit.

3-Të mbrojë veten nga infektimi dhe të mos bëhet përhapës i infeksionit te të tjerët.

4-Të paraqitet në institucion sipas grafikut të veprimtarisë mësimore dhe në rast kur ka të konfirmuar takim me personelin akademik ose administratën.

5-Studenti nuk mund të hyjë dhe të dalë disa herë nga institucioni.

6-Të paraqesë kartën e studentit kur hyn në institucion.

7-Të respektojë distancën fizike prej të paktën 1.5-2 m në çdo lëvizje dhe qëndrim të tij brenda mjediseve të institucionit dhe në hyrje të institucionit.

8-Të respektojë të gjitha rregullat e higjienës personale në institucion.

9-Të mbajë maskë gjatë qëndrimit në institucion dhe të përdorë shami me një përdorim për hundën.

10-Të përdorë solucione dezinfektuese sipas udhëzimit.

11-Të zbatojë kërkesat e personelit akademik dhe administrativ në zbatim të kësaj rregulloreje.

12-Të mos pranojë t’i dorëzohen materiale të printuara, përveç rasteve kur ka libra të cilat i mban si material personale.

13-Të mos përdorë sende personale të panevojshme për procesin mësimor.

14-Komunikimi në rast nevoje, i studentit me drejtuesit, me sekretarinë dhe personelin akademik do të kryhet duke respektuar distancimin fizik nëpërmjet telefonit, ose e-mailit kur studenti nuk ndodhet në mjediset e institucionit.

15-Nëse studenti nuk ndihet mirë me shëndet ose manifeston gjendje stresi dhe ankthi  kur ndodhet në mjediset e fakultetit, i drejtohet administratorit ose telefonon në linjën e gjelbër 0800 40-40.

16-Studenti që nuk zbaton parashikimet e kësaj rregullore, trajtohet me masë disiplinore sipas Rregullores së UT-së.

Projekt-Rregullore-anti-Covid-UT

SHKARKO APP