Nisma 17+1, Manastirliu: Shqipëria potencial për turizmin mjekësor
Forumi i katërt i ministrave të shëndetësisë të Europës Qendrore e Lindore dhe Kinës ka zhvilluar punimet sot në Sofie të Bullgarisë, në kuadër të nismës 17+1, me pjesëmarrjen e ministrave të Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Serbisë, Polonisë, Mali të Zi, Hungarisë, Çekisë dhe Kinës, për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve, për të krijuar një platformë të përbashkët të shëndetësisë ndërmjet vendeve, për rritjen e sigurisë shëndetësore.
Gjatë fjalës së saj ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse në Forum, si një mënyrë për krijimin e platformave të komunikimit mes ekspertëve, për zhvillimin e qëndrueshëm në fushën e Shëndetësisë. “E çmoj të rëndësishëm këtë Forum për shkëmbimin mes vendeve tona për çështje të një rëndësie parësore, siç janë parandalimi i sëmundjeve infektive, masat për antibiotiko-rezistencën. Mund të mësojmë nga njëri-tjetri më shumë përmes shkëmbimit të eksperiencave mes profesionistëve të shëndetit, forcimit të ndërveprimit për emergjencat shëndetësore dhe masat konkrete për t’i bërë ballë një kërcënimi serioz për shëndetin publik, siç është rezistenca ndaj vaksinimit”.
Duke theksuar përmirësimet e bëra në pesë vitet e fundit në shërbimet e kujdesit bazë, Manastirliu tha se Shqipëria ka potencial zhvillimi të lartë për turizmin mjekësor. ”Shqipëria gëzon sot potencial zhvillimi të lartë për turizmin mjekësor, si një ndër vendet që zotëron profesionistë të kualifikuar dhe shërbime të teknologjisë së përparuar, duke siguruar një mjedis të mirë për vendet e Evropës Juglindore e më gjerë”. Ministrat e Shëndetësisë të vendeve pjesëmarrëse në Forumin e organizuar në Sofie të Bullgarisë firmosën një deklaratë të përbashkët, me të cilën angazhohen për ndërmarrjen e masave konkrete për forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, duke marrë në konsideratë politikat shëndetësore, sigurinë e shëndetit publik, menaxhimin spitalor apo inovacionin e digjitalizimin mjekësor.
Deklarata e nënshkruar nga ministrat e shëndetësisë shpreh vullnetin e vendeve për shkëmbimin e informacioneve për politikat dhe strategjitë shëndetësore. Një tjetër pikë e deklaratës thekson rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit për parandalimin e sëmundjeve dhe kontrollin e sëmundshmërisë. Promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm të rrjetit aktual të ngritur përfshirë ato në mjekësinë tradicionale por duke inkurajuar dhe aleanca të reja është një tjetër pikë e deklaratës së përbashkët. Ndër pikat më të rëndësishme të deklaratës së firmosur mes Ministrave të vendeve të 17+1 është mbështetja për inovacionin teknologjik dhe kërkimin shkencor në fushën e shëndetësisë.
Nisma për bashkëpunim 17 + 1 ose Bashkëpunimi Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore është iniciativë e Qeverisë së Kinës që synon intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me 17 vende të Europës Qendrore dhe Lindore prej të cilave 12 janë shtete anëtare të BE-së dhe 5 vende të Ballkanit. Nisma mori jetë në forumin e Varshavës 2012 dhe synon forcimin e bashkëpunimit në fushat e shëndetësisë, ekonomisë, bujqësisë, arsimit, etj mes vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe Kinës.