Nisma e bashkisë Berat. Të rinjtë ruajnë trashëgiminë kulturore

Në datat 1-15 gusht Bashkia e qytetit të Beratit së bashku me disa nga partnerët e saj zhvilluan kampin “Trashëgimi +” në Qendrën për Ndërveprim dhe Zhvillim të Komunitetit në kalanë e Beratit. Në kamp morën pjesë rreth 16 të rinj dhe të reja nga qyteti i Beratit, Lushnjës dhe Skraparit, si dhe 8 të rinj nga qytete të ndryshme të Francës.

Kampi synoi t’u ofrojë të rinjve mundësi të angazhohen dhe të vullnetarizohen për të përmirësuar kushtet e trashëgimisë kulturore dhe mjedisit në qytetin e Beratit. Qëllimi i këtij kampi ishte zhvillimi i qytetarisë aktive te të rinjtë, sensibilizimi i tyre mbi rëndësinë e trashëgimisë sonë kulturore dhe burimeve natyrore dhe zhvillimi i mirëkuptimit ndërkombëtar dhe aftësive ndërkulturore. Programet kryesore të kampit konsistonin në të mësuarin ndërkulturor, restaurimin e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e mjedisit / ekoturizmit.

Të rinjve që marrin pjesë në kamp iu ofrohen mundësi për të mësuar aftësitë e nevojshme për të kryer detyrat dhe aktivitetet e kërkuara. Gjatë kampit u organizuan një sërë aktivitetesh si pastrimi i mjedisit në lagjen “Kala” Berat, në kishën e Shën Mëri Vllahernën si dhe në Qendrën për Ndërveprim dhe Zhvillim të Komunitetit në kala.

Çdo ditë pjesëmarrësit u angazhuan në një shkëmbim kulturor dhe program të mirëkuptimit ndërkombëtar në Organizatën e Aleancës Franceze në qytetin e Beratit. Nxënësit praktikuan bazat e gjuhëve Shqip dhe Frëngjisht, si dhe specifikat kulturore të secilit vend, si: arti, ushqimi tradicional, këngët, vallet tradicionale etj. Sesionet u organizuan nga mësues të kualifikuar në Aleancën Franceze, dega Berat.

Gjithashtu pjesëmarrësit në kamp dhanë një kontribut të çmuar për mirëmbajtjen dhe meremetimin e “Qendrës për Ndërveprim dhe Zhvillim të Komunitetit” në lagjen Kala. Përveç pastrimit dhe sistemit të Qendrës, pjesëmarrës ndihmuan për krijimin e mobilieve për qendrën, duke përdorur materiale të riciklueshme.

Në Qendrën e Artizanatit “Margarita” u organizua për të rinjtë një trajnim i shkurtër në qëndisje. Gjithashtu të rinjtë shkëmbyen me njeri-tjetri receta dhe gatime tradicionale të qytetit.

Përveç aktiviteteve pjesëmarrësit morën pjesë në vizita studimore dhe aktivitete të lira në rajonin e Beratit. Gjatë vizitave, specialistë të natyrës u shpjeguan pjesëmarrësve veçoritë e florës dhe faunës në zonën përreth qytetit të Beratit.

SHKARKO APP