Një vit nga fillimi i pandemisë, rreziku vazhdon të mbetet i lartë
Në një vit pandemi koronavirusi nuk kurseu askënd. Të gjithë janë ende shumë të rrezikuar prej tij.
Në një vit pandemi 43 mjekë dhe infermierë nuk e kanë fituar dot betejën me covid-19, bluza të bardha këto të cilat kanë dhënë një kontribut të çmuar në mjekësinë shqiptare.
Gjithashtu në këtë hark kohor fatkeqësisht 24 efektivë policie nuk e kanë fituar dot betejën me covid-19.
“Deri në fund të dhjetorit kanë qenë 30 mjekë që kanë dhënë jetën në betejën me covidin dhe 13 mjekë këto dy muaj e pak që jemi sot.”
Fatalite ka pasur edhe mes mësuesve, por shifrat zyrtare të tyre nuk i publikon asnjë institucion shtetëror që ka në varësi këta nëpunës.
Në 11 mars u shënua viktima e parë nga covid dhe një vit më pas fatkeqësisht raportohen për 1956 pacientë që e kanë humbur betejën me virusin, por kjo shifër mund të jetë edhe më e madhe, pasi Ministria e Shëndetësisë nuk raporton vdekjet nga covid në banesë.
E paqartë mbetet situata edhe për infektimet e fëmijëve, i vetmi komunikim zyrtar është humbja e jetës së foshnjës 16 muajshe më 20 nëntor 2020.
Dy rastet e para të evidentuara ishin babë e birë që mbërritën nga Italia e pas tyre shumë të tjerë u infektuan me virusin e rrezikshëm.
Shifrat e të infektuarve po shtoheshin dita ditës, deri sa një vit më pas raportohen për mbi 35 mijë infektime dhe më shumë se 75 mijë qytetarë të shëruar.
Në 12 mars qeveria vendosi karantinë në të gjithë vendin, ndërsa më pas bëri një ndarje mes zonave të kuqe dhe të gjelbra, ku prej fillimit dhe tani Tirana vijon të jetë vatra më e rrezikshme.
Rastet e shtuara të personave që kishin nevojë për trajtim spitalor bënë që Ministria e Shëndetësisë të vendosë për hapjen e disa spitaleve të tjera covid, veç infektivit, dhe aktualisht janë 7 përfshirë edhe 3 në rrethe.
Pikun e tij koronavirusi e shënoi në 9 shkurt më numrin më të lartë të infektimve ditore, 1239 qytetarë të prekur, ndërsa humbjet e jetëve nuk kanë shkuar më shumë se 21 në ditë. /Ora News