“Nuk je vetëm”, Ministria: Informacion dhe mbështetje për të moshuarit përmes Linjës së Gjelbër

Një telefonatë mund të jetë shumë më tepër se një kërkesë për informacion. Për një të moshuar, ajo mund të jetë edhe mundësia për të dëgjuar një zë, për të ndarë një shqetësim apo për të kërkuar ndihmë për një nevojë të përditshme. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën të ditur se, numri i telefonit “0800 40 42”, është Linjë e Këshillimit për të Moshuarit, një shërbim falas dhe i dedikuar për t’i dëgjuar, informuar dhe orientuar të moshuarit dhe familjarët e tyre.

Në mesazhin sensibilizues të ministrisë përcillen disa nga kërkesat që mbërrijnë përmes telefonit. “Kam ditë që nuk flas me njeri dhe doja të dëgjoja një zë, të flisja me të dhe të ndaja dy halle me të”, shprehet një i moshuar, duke treguar edhe një nga nevojat më të rëndësishme që shpesh nuk duken: nevojën për komunikim dhe shoqëri.

Një tjetër telefonues kërkon ndihmë për një çështje administrative: “Të lutem, moj bijë, më ndihmo me aplikimin për pasaportë”. Ndërsa një e moshuar kërkon mbështetje për një nevojë të thjeshtë, por të rëndësishme për të: të bëjë pazarin, pasi nuk mund të zbresë dot nga banesa.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përmes Linjës së Këshillimit, të moshuarit mund të marrin informacion, orientim dhe mbështetje në varësi të nevojës së tyre. “Një zë në dispozicion të të moshuarve, për këshillim, orientim dhe mbështetje në çdo moment që kanë nevojë”, thekson Ministria e Shëndetësisë, duke përcjellë edhe mesazhin: “Nëse ti ke nevojë për mbështetjen tonë, ti nuk je vetëm”. Linja e Këshillimit për të Moshuarit, në numrin 0800 40 42, është falas dhe në dispozicion të të moshuarve dhe familjarëve të tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?