Nxënësi dh*noi mësuesen, ministrja Manastirliu: Ngjarje e rëndë që duhet të na bëjë të reflektojmë
Ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Ogerta Manastirliu ka reaguar për ngjarjen në Lezhë, ku një nxënës dhunoi mësuesen pas një debati mes tyre, ku thotë se duhet më shumë angazhim për forcimin e mekanizmave institucionalë.
Postimi i plotë
Jam shumë e shqetësuar dhe e tronditur nga ngjarja e sotme në shkollën “Hydajet Lezha” në qytetin e Lezhës, një ngjarje totalisht e papranueshme dhe e patolerueshme, ashtu siç është i papranueshëm çdo akt dhune, në mjediset tona të mësimdhënies. I jam pranë mësuese Majlindës në këto momente dhe i uroj shërim sa më të shpejtë.
Kjo ngjarje e rëndë duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të angazhohemi edhe më shumë për forcimin e mekanizmave institucionalë, për mbështetjen psiko-emocionale të nxënësve, komunikimin efektiv, rritjen e ndërgjegjësimit në shkollë, në familje, në komunitet, me qëllim që të garantojmë një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm për nxënësit dhe mësuesit tanë.
Na takon të gjithëve si shoqëri, të kontribuojmë për fuqizimin e trinomit aq shumë të rëndësishëm, mësues-nxënës-prind, për të garantuar respektin e merituar për figurën e mësuesit dhe një mjedis sa më të shëndetshëm e të sigurt në shkolla, në mënyrë që institucionet arsimore si vatrat e dijes të garantojnë arsim cilësor, dhe të edukojnë e të përgatisin brezin e ri, me vlerat më të larta të kulturës dhe qytetarisë.