Padi penale edhe kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë

4 muaj nga zgjedhjet lokale, jo vetëm kryebashkiakë të majtë, por edhe të zgjedhur të Partisë Demokratike po përballen me një fushatë kallëzimesh penale. Një ditë pas dërgimit në prokurori të kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, (PS), Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosin, i zgjedhur i Partisë Demokratike. Akuza për të është “shpërdorim detyre”.
“Po me të njëjtën akuzë kallëzohen penalisht nga IKMT (ish –INUK) edhe kryeinspektori aktual i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të bashkisë Peshkopi, z. Gafur Gazidede si dhe ish kryeinspektorët e këtij inspektoriati, z. Halil Zhuka dhe Dilaver Drizi”, thuhet në një njoftim të IKMT.
Sipas inspektoratit, janë të paktën shtatë raste, kur këta shtetas nuk kanë vepruar sipas parashikimeve ligjore në fuqi, për ndalimin e punimeve të kundërligjshme të kryera në territorin e bashkisë së Peshkopisë, duke shkaktuar me mospërmbushjen e detyrimeve të tyre ligjore, dëmtimin e territorit.
Në njoftim thuhet se nga ana e kryetarit të bashkisë, si Autoriteti i vetëm i Planifikimit në këtë bashki, nuk është marrë asnjë masë konkrete ligjore për të parandaluar ndërtimet e kundërligjshme, për të kryer kontrollin e zhvillimit të territorit dhe për të kryer drejtimin e zhvillimit të territorit.
Veç kallëzimit penal, IKMT kërkon nga institucionet e drejtësisë edhe pezullimin nga detyra për kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë dhe kryeinspektorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashki.

SHKARKO APP