Pagat e gjyqtarëve bllokohen në Thesar/ Kreu i Gjykatës së Lartë, Sadushi thirrje qeverisë: Formula e re zbatohet nga 1 gushti
Një situatë e paprecedentë ka përfshirë sistemin e drejtësisë, pasi pagat e magjistratëve, funksionarëve dhe personelit të administratës gjyqësore e prokurorisë nuk po ekzekutohen nga Drejtoria e Thesarit. Gjykata e Lartë i ka kërkuar Ministrisë së Financave zhbllokimin e pagesave të gjyqtarëve, pas informacionit se pagesat janë bllokuar në sistemin e thesarit për shkak të kundërshtive mbi mënyrën e zbatimit të vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.
Në një shkresë drejtuar ministrit të Financave, Petrit Malaj, me dijeni ministrin e Drejtësisë Toni Gogu dhe kryetarin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, argumenton se mungesa e një ligji të ri nga Kuvendi apo e fondeve të planifikuara në buxhet nuk mund të shërbejë si bazë për pezullimin e zbatimit të vendimit kushtetues.
Gjykata e Lartë thekson se sipas vendimit nr. 15/2026, Kuvendi kishte detyrimin të miratonte ndryshimet ligjore të nevojshme deri më 31 korrik 2026. Sipas interpretimit të Gjykatës së Lartë, pas kësaj date formula e mëparshme e pagës së magjistratëve nuk mund të vijonte të prodhonte efekte juridike. Në shkresë argumentohet gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar edhe pasojën në rast të mosveprimit të Kuvendit, duke iu referuar formulës së lidhur me funksionarët e administratës së lartë publike, sipas standardit të vendimit nr. 35/2022. Gjykata e Lartë i referohet edhe vendimit nr. 435, datë 26 gusht 2026, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke theksuar se ky vendim nuk ka krijuar një politikë të re pagash, por ka konkretizuar zbatimin e detyrimit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas shkresës, për periudhën nga 1 gushti 2026 e në vijim, paga referuese bazë është përllogaritur mbi bazën e pagës për pozicion prej 222.425 lekësh dhe shtesës së nivelit të kualifikimit prej 14.000 lekësh, duke arritur në 236.425 lekë. Gjykata e Lartë kundërshton gjithashtu argumentin se mungesa e planifikimit buxhetor mund të justifikojë bllokimin e pagave. Sipas saj, fondet shtesë mund të sigurohen përmes mekanizmave të parashikuar nga legjislacioni buxhetor, ndërsa detyrimi për zbatimin e vendimit kushtetues mbetet në fuqi.
Gjykata e Lartë kërkon nga Ministria e Financave:
zhbllokimin e menjëhershëm të pagesave mujore të gjyqtarëve;
zbatimin e pagës referuese bazë nga 1 gushti 2026;
alokimin e fondeve shtesë që mund të nevojiten për pagesat korrente;
trajtimin e diferencave financiare për periudhën 1 prill 2023 – 31 korrik 2026, sipas vendimit të KLGJ-së.
“Respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është çështje vullneti institucional, por detyrim kushtetues për çdo organ të Republikës”, theksohet në përfundim të shkresës së firmosur nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Edhe Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve shprehin shqetësimin për bllokimin financiar, i cili, sipas tyre, cenon funksionimin normal të institucioneve. Më 2 shtator, ekzekutimi financiar është bllokuar. Shoqatat theksojnë se vetëm në dy prokurori janë kryer pagesat me përllogaritjen e re, çka, sipas tyre, tregon se procesi është teknikisht i mundur. Bllokimi ka prekur edhe administratën gjyqësore dhe atë të prokurorisë, të cilat kanë mbetur pa paga në afat. Shoqatat i bëjnë thirrje Ministrisë së Financave dhe ministrit përgjegjës për ndërhyrje të menjëhershme për zhbllokimin e situatës. Në të kundërt, ato paralajmërojnë përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore, përfshirë kërkimin e përgjegjësisë ligjore dhe penale ndaj personave apo strukturave përgjegjëse.
KOHA JONË SONDAZH







