Pajisja me armë për personat e kërcënuar për jetën, miratohen procedurat e reja

Përcaktohen procedurat për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën dhe pajisjen me autorizim të posaçëm për mbajtje arme. Vendimi është miratuar në mbledhjen e Qeverisë. Në bazë të tij, Policia e Shtetit ka përgjegjësinë për vlerësimin e kërcënimit të rrezikut për jetën për persona që, për shkak të aktivitetit shtetëror ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë.

Vlerësimi i rrezikut për jetën dhe lëshimi i autorizimit përkatës për mbajtje arme bëhet për dy kategori personash: a) Persona në rrezik për shkak të aktivitetit shtetëror; b) Persona në rrezik për shkak të rrethanave personale të veçanta. Policia e Shtetit krijon një komision për vlerësimin e rrezikut të personave për shkak të aktivitetit shtetëror që kanë pasur ose kanë aktualisht, si dhe për ata për shkak të rrethanave personale të veçanta, të përbërë nga 5 veta, me këtë përbërje: a) Drejtori i Sigurisë Publike Kryetar; b) Drejtori për krimet e rënda anëtar; c) Drejtori për krimet anëtar; ç) Jurist i drejtorisë anëtar; d) Shefi i sektorit për shërbimet ndaj të tretëve anëtar. Për vlerësimin e kërcënimit për jetën, brenda 72 orëve nga paraqitja e kërkesës, të administrohet dokumentacioni, si më poshtë vijon: a) Kërkesa individuale e personit që kërcënohet për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta; b) Relacion nga komisariati ku banon personi, lidhur me ekzistencën e kërcënimit të jetës së personit, që kryen apo ka kryer më parë aktivitet shtetëror, ose të rrethanave personale të veçanta; c) Ekstrakte nga informacionet, materiale të dala nga hetimi, materiale të dala nga kryerja e operacioneve apo teknikave speciale të hetimit etj., që i disponon policia ose institucione të tjera shtetërore, për ekzistencën e kërcënimit ose rrezikut të jetës së personit që ka bërë kërkesën; ç) Kopje e dokumentit identifikues të personit të kërcënuar; d) Vërtetim besueshmërie për personin e kërcënuar, hartuar nga komisariati ku ka vendbanimin.

Këto dokumente, të administruara në komisiariatin e policisë, brenda 3 ditëve pune dërgohen për t’u regjistruar në drejtorinë vendore të policisë dhe nga kjo drejtori përcillen, për miratim, në Komisionin Qendror, pranë Drejtorisë së Policisë. Rrethanat personale të veçanta përfshijnë: a) rrethanat që krijohen si rezultat i ekzistencës reale të kërcënimit për jetën, për persona që ndihmojnë policinë apo struktura të tjera shtetërore, në lidhje me identifikimin e veprave penale, autorëve të tyre si dhe sigurimin e provave të tjera; b) rrethanat që krijohen për shkak të aktivitetit shtetëror që ka pasur ose ka personi që kërcënohet; c) rrethanat që krijohen si rezultat i kallëzimeve për vepra penale në një mjedis ku reagimi për këtë veprim është kërcënues për jetën e kallëzuesit. Sipas vendimit, Komisoni mblidhet brenda 5 (pesë) ditëve nga ardhja e kërkesës dhe shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga drejtoria vendore/rajonale e policisë ku ka vendbanimin personi i kërcënuar për shkak të aktivitetit shtetëror ose rrethanave personale të veçanta. Komisioni merr vendim paraprak, me shumicë, për vlerësimin e rrezikut dhe për lëshimin e autorizimit për mbajtje arme, me qëllim ruajtjen e jetës. Afati i vlefshmërisë së autorizimit të posaçëm për mbajtje arme varion sipas ekzistencës së kërcënimit dhe rrezikut për jetën

SHKARKO APP