
Deputeti i PD, Edi Paloka ka reaguar lidhur me protestat që prej tre javësh po zhvillohen kundër qeverisë, duke shprehur shqetësimin për atë që e cilësoi si përpjekje të disa grupeve për të mbajtur demokratët jashtë kësaj lëvizjeje.
Ai sqaroi se protesta është iniciuar nga studentët dhe mbështetet nga sindikata e pedagogëve, të cilët kanë shpallur bojkot dhe grevë. Ai nënvizoi se thirrja e studentëve u drejtohet të gjithë qytetarëve, pa dallim bindjesh apo përkatësie politike.
Paloka kundërshtoi pretendimet për një bashkëpunim të demokratëve me kryeministrin Edi Rama, duke sjellë në vëmendje përballjet e vazhdueshme të opozitës me qeverinë. Ai kujtoi gjithashtu rastet kur anëtarë dhe deputetë të Partisë Demokratike janë përballur me dhunë dhe ndalime gjatë protestave kundër mazhorancës.
Sipas Palokës, përpjekjet për të përjashtuar demokratët nga tubimet po prodhojnë efekt të kundërt, duke thelluar përçarjet dhe duke dekurajuar pjesëmarrjen qytetare. Ai pretendoi se këto përplasje mes grupeve pjesëmarrëse janë një nga arsyet që numri i protestuesve ka ardhur në rënie gjatë javëve të fundit.
