Papa Françesku me “tumor”?! Vatikani e mohon

 

Papa Françesku ka tumor të parrezikshëm në tru?! JO. Vatikani e ka mohuar sot këtë raportim të mediave italiane se Ati i Shenjtë vuan nga një sëmundje e tillë.

“Papa po i zhvillon aktivitetet e tij me intensitetin e zakonshëm dhe të lartë. Të përhapësh lajme të pabaza është një papërgjegjshmëri tepër e rëndë dhe nuk meriton aspak vëmendje”, tha zëdhënësi i Vatikanit, At Federico Lombardi, përmes një deklarate të posaçme.

Gazeta “Quotidiano Nazionale”, një media kombëtare me seli në Italinë qendrore, raportonte në kopertinë se Ati i Shenjtë 78-vjeçar kishte kryer një fluturim sekret me helikopter drejt një fshati të vogël toskan “disa kohë më parë”, për t’u vizituar nga një mjek japonez.

Gazeta raportonte gjithashtu se Papa argjentinas qenka diagnostikuar me një “pikë të zezë të vogël në tru”, por që ishte e kurueshme dhe jo e rrezikshme për jetën e tij.

Teksa Papa është shfaqur në një gjendje të mirë shëndetësore gjatë muajve të fundit, me përjashtim të një problemi të dukshëm në këmbë, bazuar në faktin që ka vuajtur së fundi nga nervi shiatik, për të cilin ka kryer seanca të rregullta terapie fizike në Vatikan.

SHKARKO APP