Papa në Xhaminë e Madhe të Algjerit: të respektojmë njëri-tjetrin, të punojmë për paqen
Stuhi me erë dhe shi në Algjer, ndërsa Papa Leoni XIV, pasi u ul dhe hoqi këpucët, hyri në Xhaminë e Madhe të kryeqytetit algjerian rreth orës 3.55 pasdite. Qëndroi për më pak se dhjetë minuta, disa prej të cilave i kaloi në reflektim të heshtur para mihrabit, i shoqëruar nga rektori, Mohamed Mamoun Al Qasimi, me të cilin u takua privatisht, duke shkëmbyer dhuratat e duke bërë një bisedë të shkurtër në të cilën Papa përsëriti thirrjen për “respekt” të ndërsjellë, respekt “për dinjitetin e çdo njeriu”, si edhe për të qenë “nxitës të paqes e të faljes”.
Ndërmjet artit tradicional dhe bashkëkohor
Të dy, të veshur me të bardha, sapo kishin ecur krah për krah, mes kolonave të bardha, që shndrisnin në kontrast me qilimin blu me lule dhe me abazhurin gjigant prej kristali. Arti tradicional islamik përzihet me atë bashkëkohor në këtë vend kulti madhështor, që shtrihet mbi një sipërfaqe prej rreth 27 hektarësh, me pamje nga Gjiri i Algjerit. Është xhamia e tretë më e madhe në botë, pas Mekës dhe Medinës, si edhe më e madhja në Afrikë, me kapacitet prej 120.000 njerëzish. Minarja e saj prej 267 metrash është më e larta në botë. Ndërkohë kupola e madhe, krejtësisht e zbukuruar me pllaka alumini të praruar me lajlelule tipike arabe, mund të shihet nga kilometra larg, duke thyer grinë e përgjithshme.
Me vështrimin lart
Askush nuk fliste brenda xhamisë; të gjithë shikonin drejt tavanit të bardhë të harkuar. Një grua e re me shami në krye u bë udhërrëfyesja e Papës, duke pëshpëritur disa të dhëna historike dhe artistike rreth vendit. Dy, kardinajtë e pranishëm: George Jacob Koovakad, prefekt i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar, si edhe Jean-Paul Vesco, kryeipeshkëv i Algjerit. Leoni XIV – në vizitën e tij të dytë në një vend kulti islamik pas Xhamisë Blu në Stamboll – e ngriti kokën disa herë. Shikoi përreth, pastaj eci drejt mihrabit, që tregon drejtimin e Mekës, ku ndodhet Qabeja. Pasuan disa sekonda në këmbë e në heshtje, të ndjekura nga një fotografi me rektorin, me të cilin më pas u zhvendos në sallonin privat.

Dialogu me rektorin
Këtu, bëri një bisedë me rektorin, duke shprehur mirënjohjen për praninë në një “vend që përfaqëson hapësirën, e cila i përket Zotit”, në kuadrin e udhëtimit në Algjeri, që është – tha Papa – “toka e atit tim shpirtëror, Shën Augustinit, i cili deshi t’i mësonte kaq shumë botës, sidomos përmes kërkimit të së vërtetës, kërkimit të Zotit, duke njohur dinjitetin e çdo njeriu dhe rëndësinë e punës për paqen”. “Të kërkosh Zotin”, nënvizoi Leoni XIV, “do të thotë të shohësh imazhin e Hyjit në çdo krijesë, bir i Zotit, në çdo burrë dhe grua të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë me Hyjin”. Prandaj, është e rëndësishme “të mësojmë të jetojmë së bashku, me respekt për dinjitetin e çdo njeriu”.
Rëndësia e “kërkimit të së vërtetës”
Papa Leoni XIV vlerësoi edhe krijimin e një qendre studimi brenda Xhamisë, sepse “qeniet njerëzore duhet ta zhvillojnë kapacitetin intelektual që Zoti i ka dhënë njeriut, në mënyrë që të zbulojmë madhështinë e Krijimit”, theksoi ai. Prandaj, Ati i Shenjtë inkurajoi që “përmes kërkimit të së vërtetës”, “përmes studimit” dhe “përmes aftësisë për të njohur dinjitetin e çdo qenieje njerëzore”, të “mësojmë si të respektojmë njëri-tjetrin, të jetojmë në harmoni dhe të ndërtojmë një botë në paqe”. Papa siguroi lutje “për popullin e Algjerisë” dhe “për të gjithë popujt e tokës”, në mënyrë që “paqja dhe drejtësia e Mbretërisë së Zotit të jenë të pranishme edhe midis nesh dhe të gjithë të bindemi gjithnjë e më shumë për nevojën e promovimit të paqes, pajtimit, faljes dhe të gjithçkaje ka në mend Hyji për të gjithë krijimin e Tij”.
Nënshkrimi i Librit të Nderit
Së fundi, përpara se të largohej e të nisej për në Bab El Oued për një vizitë private në Qendrën e Mikpritjes e të Miqësisë së Motrave Misionare Augustiniane dhe më pas në Bazilikën e Notre Dame d’Afrique, Leoni XIV nënshkroi Librin e Nderit. Mesazhi, në frëngjisht, thotë: “Mëshira e të Tejetlartit e ruajtë popullin fisnik algjerian dhe të gjithë familjen njerëzore në paqe dhe në liri”./vaticannews/
KOHA JONË SONDAZH
Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?
Results
Vota totale: 10413

