Parkimi i dyfishtë dhe zaptimi i hapësirës publike, gjoba ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat
Pas vendimit për ashpërsimin e masave ndaj drejtuesve të automjeteve që parkojnë në mënyrë të dyfishtë ose në hapësira që cenojnë qarkullimin dhe hapësirën publike, strukturat e Policisë së Vlorës kanë nisur një aksion të gjerë kontrolli në të gjithë territorin e qytetit. Drejtoria Vendore e Policisë, Forcat “Shqiponja”, Policia e Qarkullimit Rrugor dhe shërbimet e rendit, janë duke zhvilluar kontrolle të përqendruara në zonat më problematike.
Gjatë ditëve të para të aksionit janë vendosur me qindra gjoba ndaj drejtuesve që kanë shkelur rregullat, ndërsa një numër i konsiderueshëm mjetesh janë bllokuar dhe larguar me karrotrec nga vendet e ndaluara. Policia ka rikthyer në funksion të plotë karrotrecin si masë konkrete për të disiplinuar parkimin e paligjshëm, veçanërisht në rastet kur automjetet kanë bllokuar korsitë e lëvizjes, hyrje-daljet e banesave apo bizneset, trotuaret dhe hapësirat e dedikuara për persona me aftësi të kufizuar. Sipas autoriteteve, toleranca ndaj këtyre shkeljeve do të jetë zero, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës urbane dhe në funksionimin normal të qytetit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të shmangin parkimin në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se respektimi i hapësirës publike është përgjegjësi e përbashkët. Synimi i këtij operacioni është rikthimi i disiplinës në rrugë, lehtësimi i trafikut dhe garantimi i sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës drejtues mjetesh, këmbësorë dhe biznese.
KOHA JONË SONDAZH

