Parku Arkeologjik i Butrintit, destinacioni i preferuar i turistëve! 74% më shumë vizitorë se në vitin 2023
Sitet tona kulturore kanë mirëpritur plot 569,089 vizitorë gjatë Janar-Qershor 2025, një rritje prej 74% krahasuar me 2023 sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
5 destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:
Parku Arkeologjik Butrint, 105,623 vizitorë
Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.
Kalaja e Gjirokastrës, 92,999 vizitorë
Kalaja e Gjirokastrës, është një ndër më të mëdhatë në Ballkan. Si një anije e madhe prej guri, ajo shtrihet në një hapësirë prej 335 metra. Ajo ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj.
Parku Arkeologjik Shkodër, 79,885 vizitorë
Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje.
Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, 74,636 vizitorë
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në brendësi të rrënojave të kalasë shekullore të Krujës, muzeu u hap më 1982. Ndërtesa është e konceptuar si një fortesë e një kështjelle mesjetare shqiptare, me fokus kryesor dokumentimin e jetës dhe veprës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.
Parku Arkeologjik Apolloni, 58,059 vizitorë
Parku Kombëtar Arkeologjik i Apollonisë është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të qarkut të Fierit e më gjerë. Peizazhi magjepsës, objektet dhe monumentet e shumta që mbart e bëjnë qytetin antik që të jetë në vëmendje të vizitorëve. Apolonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit.
KOHA JONË SONDAZH

