Pastrim parash, biznesmenit në Vlorë i bllokohen mbi 500 mijë $
Një biznesmeni në fushën e hoteleri turizmit në qytetin bregdetar i janë bllokuar 531.031 USD. Sekuestro preventive është vendosur nga gjykata, pasi dyshohet se shuma e parave është përfituar në mënyrë të jashtëligjshme nga biznesmeni me inicialet A.I.A.
531 mijë dollarët u përfituan nga biznesmeni nga shitja e dyshimtë e një restoranti te një shtetas amerikan. Hetimet e prokurorisë nisën, pasi shuma e parave u transferua në një llogari të dyshimtë bankare.
Sektori për hetimin e krimit ekonomik në bashkëpunim me Prokurorinë pas hetimeve kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës duke vendosur masën e sekuestros preventive, ndërsa hetimi për pastrim parash për biznesmenin vlonjat ka nisur prej disa muajsh. Prokuroria vijon hetimet për shumën e bllokuar të biznesmenit në një bankë të nivelit të dytë.

