PD dorëzon në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen me Italinë për emigrantët

Nënkryetari i Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha, Kreshnik Çollaku ka depozituar sot në Kushtetuese kërkesën për marrëveshjen Rama – Meloni për emigrantët, por edhe për situatën në parlament dhe të ardhmen e opozitës.

Në një deklaratë për shtyp, nënkryetari Kreshnik Çollaku deklaroi se kjo marrëveshje u shpall në mënyrë të çuditshme dhe se nuk ka pasur asnjë transparencë nga ana e kryeministrit Edi Rama.

“Marrëveshja prek sovranitetin e territorit të vendit dhe mendoj që kjo është shkelja më e rëndë e Ramës. Mendoj se është sabotimi më i madh kësaj marrëveshjeje. Për këtë e kam thirrur në interpelancë.

Kjo duket se ka problematika, me të drejtat ndërkombëtare, me të drejtat e njeriut. Mendoj se ka problematika me planin kushtetues të brendshëm, por edhe me atë ndërkombëtarët. E pandershme të shitet si një detyrim moral ndaj Italisë” tha ai.

Sa i përket aksionit të opozitës së bashkuar në Parlament, Çollaku tha se i mbështet kolegët e tij dhe se nisma është mëse e drejtë, por sipas tij kjo nuk ka efektshmëri dhe më shumë i shërben, Edi Ramës.

“Nuk është gjysma e opozitës që kërkon ngritjen e Komisioneve Hetimore, është e gjithë opozita. Ne e mbështesim aksionin e kolegëve tanë.

Ku dallojmë? Te efektshmëria e asaj që prodhohet. Kjo nuk po sjell rezultat, por përkundrazi po i jep një dorë të mirë Edi Ramës, për të kaluar ligjet që i interesojnë.

Ajo që ne duhet të na interesojë është debati, që qytetarët të kuptojnë pozicionin tonë dhe të mazhorancës, por debati është në pikën me të ulët për shkak të situatës që është parlamenti. Bllokimi i debatit publik pamundëson vënien me shpatulla pas murit, kryeministrin Rama” shtoi ai.

Gjithashtu ai dha një koment edhe për propozimin e aleatëve të opozitës për krijimin e një Federate, propozim ky, ndaj të cilit Basha iu përgjigj negativisht nëse pjesë ishte edhe Berisha.

Çollaku tha se ai e sheh më shumë si një kujdes ndaj karrierave personale, se sa një zgjidhje reale për situatën e opozitës.

“Unë pashë disa kryetar partishë të vogla që propozojnë federata. Unë mendoj që prokupimi kryesor i opozitës duhet të jetë bashkimi i votës.

E dyta është ruajtja e marrëdhënieve me ndërkombëtare dhe se treti përfaqësimi i opozitës si duhet.

Mendoj që formula të tilla më shumë kujdesen për karriera personale, sesa i japin zgjidhje krizës së opozitës në vend” theksoi nënkryetari i PD-së.

SHKARKO APP