Pedagoge Ornela, mbron Ramën dhe importin e plehrave
Aktualitet E Shtunë, 1 Maj 2021 23:57
Ka disa njerëz që janë të gatshëm ta hanë turpin me bukë vetëm për ti dalë në krah të pushtetit. Të gjithë e mbajnë mend atë ish kryetarin e shoqatës së arkitektëve që u përdor nga Rama për të përligjur ndërtimin e stadiumit me kullë.
Si një pasuese e denjë e tij është shfaqur sot një grua që e quan veten ambientaliste me disa vite shkollë dhe petagoge.
Ajo është Ornela Çuçi që bëri bujë kur u shfaq në takimin e Ramës me ricikluesit, jo për të debatuar me kryeministrin, por për të dënuar protestat e ambientalistëve.
Kur Lapsi.al e vuri në pah këtë çudi absurde, me një komunikatë të universitetit UET, zonja Çuçi u mundua të përgënjeshtrojë duke theksuar: “E para për miqtë e mi ambjentalistë. Të gjithë energjinë që harxhojmë për protesta, le ta përdorim për të informuar këtë popull, i cili është ndoshta më i painformuari në rajon për manaxhimin e mbetjeve. Një shishe plastike kërkon 1000 vjet të dekompozohet. Nëse i groposim shishet e plastikës, niveli i ndotjes toksike në ujrat nëntokësore do të jetë i madh me pasojë ndotjen e florës dhe faunës në mjedisin ujor të vendit” tha ajo menjëherë pasi Edi Rama kish bërë thirrje që para se të bëjmë ambientalistin të mësohemi të disiplinohemi për hedhjen e plehrave tona private.
Mesa duket kjo disidente në radhët e mjedisorëve i ka pëlqyer shumë kryeministrit i cili thuhet se i ka telefonuar personalisht zonjës Çuçi.
Dhe ajo nuk e ka zhgënjyer për herë të dytë.
Ajo i ka dalë në krah importuesve të plehrave në emisionin Opinion, duke argumentuar se ajo është e ardhmja e mjedisit, pa e vrarë mendjen për të bërë disa pyetje të thjeshta: Pse kryeministri, që ka shumë më tepër informacion, që nga policia dhe shërbimi sekret, pretendoi se kush i sjell këto plehra luan për interesat financiare të mafies? Pse ai e abrogoi në 2013 ligjin ku ndalohej edhe hyrja e këtyre “plehrave të gjelbërta” që do të futen sot në Shqipëri?
Të paktën në një nga dy rastet, ose në 2013, ose 2016 Edi Rama ka bërë një krim. Prandaj është e vështirë të rreshtohesh përkrah tij, duke i shkuar në tubime shou apo duke zënë karriget e tij në “Opinion”. Aq më i rëndë bëhet ky mision, kur e quan veten ambientaliste dhe petagoge dhe lejon të përdoresh.
Të paktën ai arkitekti i stadiumit me kullë, kur e pa se kishte shërbyer si mashë, uli kokën dhe dha dorëheqjen. Por, ndoshta Ornela e Ramës dhe e plehrave do të vazhdojë të mësojë studentët e UET. (Lapsi.al)
KOHA JONË SONDAZH