Përgjimet e prokurorisë zbuluan laboratorin e drogës. Didi: Do ketë arrestime të tjera

Prokuroria për Krime të Rënda ka dhënë sot detaje të reja lidhur me kapjen e 9 personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Hetimi ka nisur në datën 18 dhjetor 2014 pas informimit nga autoritet gjermane. Sipas prokurorisë, pas përgjimeve që i janë bërë shtetasit Ilir Hyseni është arritur të zbulohen dhe bashkëpunëtorët e tjerë, Ermal Hoxha, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi, Sajmir Batku, etj. Prokuroria thekson se gjatë Ermal Hoxha është arrestuar në banesë në Durrës dhe nuk i janë gjetur armë dhe para me vete.

Ndërkohë, kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didit në  analizën vjetore të policisë në Qarkun e Kukësit la të kuptohet së në ditët në vijim mund të ketë arrestime të tjera për trafikun e drogës nga Elbasani. Didi siguroi se të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje do të vihen para përgjegjësisë.

Hetimi po vijon. Mund të ketë arrestime të tjera”, kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi lidhur me hetimet për laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit.

Dosja e prokurorisë

Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga gjykata caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për 9 shtetas, të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e lëndës narkotike kokainë nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë.

Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka nisur në bazë të një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në datë 17.12.2014 nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të lëndëve narkotike.

Ky informacion iu përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në dt. 18.12.2014, regjistroi me iniciativë (kryesisht) procedimin penal për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe vijoi hetimet lidhur me personat e dyshuar si të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal.

Në bazë të të dhënave të përfituara gjatë hetimeve paraprake, të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në datë 14.01.2015, u organizua operacioni për arrestimin në flagrancë të disa shtetasve, të cilët gjendeshin në ambjentet e një ish-magazine, e cila rezultoi që ishte shndërruar nga të dyshuarit në një laborator për përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë.

Po ashtu, në vijim të operacionit, në bazë të të dhënave të përftuara gjatë hetimeve paraprake të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrestuan edhe disa persona të tjerë në zona të ndryshme. Pra, në total u arrestuan 9 persona.

Në bazë të veprimeve paraprake dhe provave materiale të zbuluara gjatë operacionit, personat e arrestuar dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë, “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope, “prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” si dhe “grupit të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 283/a-22, 284/c, 284/ç, 285 dhe 333/a. Ndërkohë, dy prej tyre akuzohen edhe për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/4 të Kodit Penal.

Në bazë të të dhënave të siguruara deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për personat, si më poshtë:

  1. Ilir Hyseni
  2. Gentian Gjonaj
  3. Kelmend Dalipi
  4. Arjan Dalipi
  5. Sajmir Batku
  6. Ermal Hoxha
  7. Kastriot Imeri
  8. Cesar Avila
  9. Valther Moreno

INFO, PROKURORIA PER KRIME TE RENDA

Në datën 18.12.2014, Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr.335 për veprën penale të “trafikimit të narkotikëve” e parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Nga aktet e këtij hetimi rezulton  se në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike të dyshuar si kokakinë nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Si organizatorë të trafikut dyshohej se ishte shtetasi shqiptar, i quajtur Ilir Hyseni.

Shtetasi i njohur si Ilir Hyseni ka komunikuar shpesh një person të quajtur Joti( i identifikuar më pas si Kastriot Imeri). Sipas informacioneve të autoriteteve gjermane, shteasi Ilir Hyseni komunikonte edhe me një person me emrin Ermal, i cili më pas gjatë hetimit rezultoi të ishte shtetasi Ermal Hoxha.

Nga hetimi i kryer përmes metodave speciale të hetimit, rezultoi se Ilir Hyseni pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri, i cili rezultoi të ishte pronar i një servisi automjetesh, në Kombinat, Tiranë. Në këtë rezultoi të ndodhej automjeti Mercedes Benz me ngjyrë gri, me targë xxxx, i cili rezultoi se do të modifikohej me qëllim trafikimin e një sasie lënde narkotike pas mbërritjes së korrierit. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni, përveç kontakteve me Kastriotin, kishte kontakte edhe me shtetasin Ermal Hoxha. Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të shtetasve Ilir Hyseni dhe Ermal Hoxha deri sa në datën 13.1.2015, u zbulua se këta shtetas hynin në ish magazinat e rezervave shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimii këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty hynin edhe Kelmend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, dhe Gentian Gjonaj dhe Sajmir Batku, i thirrur me nofkën kinezi. Rezultoi gjithashtu se personat komunikonin shepesh me njëri tjetrin. Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre. Gjithashtu u konstatua nga vëzhgimet se edhe dy shtetas të huaj të cilët më pas rezultuan të ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Ëalther Moren Moreno, hynin në ambientin e sipërcituar. Shoqërimi i tyre është bërë nga Ermal Hoxha dhe Kelmend Dalipi. Nga raportet e vëzhgimit të datës 13.1.2014, rezulton se ka qenë Ermal Hoxha që i ka marrë dy shtetasit kolumbianë nga magazina në Elbasan dhe i ka çuar në Tiranë. Ermal Hoxha, mnëgjesin e datës 14.1.2015, komunikon me një person tjetër në mënyrë që të mundësonte transportimin e dy personave për në Elbasan. Nga bisedat del që personat duhet t’i vente t’i merrte Kelmendi. Dhe në fakt, nga raportet e vëzhgimit, rezulton se në orën 10.30, Kelmendi ka hyrë ambientet e magazinës me mjetin e tij nga ku kanë dalë edhe dy persona të veshur me të zeza që ishin shtetasit kolumbianë Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno. Në këto kushte, duke parë mënyrën se si këta persona vepronin, policia gjyqësore ndërhyri në kushte e flagrancës duke ushtruar një kontroll në magazinë. Në momentin e ndërhyrjes, aty u gjetën Arjan Dalipi, Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj, Cesar Avila dhe Ëalther Moren Moreno, të cilët u arrestuan në flagrancë pasi në ambientin e kontrolluar u zbulua një laborator për prodhimin e përpunimin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, rezulton se magazina shërbente për të fshehur një laborator për transforminin dhe përpunimin e substancave që kishin përmbajtje kokaine, të cilat pas kalimit në procese kimike përmes ndërhyrjes së prekursorëve dhe substancave të tjera kimike, dilnin në një produkt përfundimtar që ishte lënda narkotike e dyshuar si kokainë e gatshme për t’u hedhur në treg. Në magazinë, u sekuestrua në një peshore një sasi prej 436 gr e cila ka karakteristikat e kokainës. Gjithashtu, të futura në qese apo thasë, u sekuestrua edhe një sasi tjetër lënde pluhur me ngjyrë të bardhë, të përshkruara në detaje në këqyren e magazinës. Gjithashtu, u sekuestrua e futur në tre thasë një sasi me pluhur të kuqerremtë. I njëjti pluhur u gjend edhe në 30 qese plasmasi. Në fuçi apo enë të ndryshme u gjetën  edhe sasi të lëndësh kimike në gjëndje të lëngshme apo tretësira, të cilat dyshohet se përdoreshin për procesin e përpunimit të substancës bazë ku ndodhej kokaina. Gjithashtu, u sekuestruan edhe shumë pajisje të cilat përdoreshin në procesin e përpunimit si furra me mikrovalë në pjatat e të cilave kishte mbetje pluhuri të bardhë që dyshohet si kokainë, presë, lavatriçe, boilerë, termometra, doreza plastike, provëza, bidona me mbishkrime lëndësh acide, sobë gazi etj. Është për tu theksuar se gjatë vëzhgimit në datën 14.1.2015, Ilir Hyseni, Arjan Dalipi dhe Gentian Gjonaj janë parë duke derdhur në pjesën e pasme të objektit përmbajtjen e disa kovave blu, çka tregon pjesëmarrjen e tyre aktive në procesin laboratorik. Në lidhje me shtetasit kolumbianë, dyshohet se ata ishin personat që kishin njohuritë e duhura për transformimin e lëndës bazë që dyshohet se ka përmbajtje kokaine në produktin final. Në vijim të kontrollit, në magazinë u sekuestrua edhe një automatik model 56, si dhe 70 copë fishekë 7,62 mm dhe një krëhër automatiku me 19 fishekë. Në vijim të operacionit policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin Sajmir Batku, të cilit iu sekuestruan në automjetin e tij Jeep me targë TR xxxxT, 19,416kg lëndë narkotike që dyshohet si kokainë, e futur në 18 pako në formë paralelopipedi. Në makinë iu gjetën gjithashtu edhe një pistoletë dhe një kuti me 50 fishekë 50 mm. Këtij shtetasi iu sekuestruan edhe 322 010 euro dhe 293 000 lekë. Në flagrancë u arrestua edhe shtetasi Kelmend Dalipi, të cilit iu sekuestruan në banesë edhe 68 fishekë arme gjahu. Shtetasit Ermal Hoxha gjatë arrestit nuk iu gjend asnjë send i kundërligjshëm.

Në këto kushte, del qartë se shteasit Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj, Kelmend Dalipi, Arjan Dalipi, Sajmir Batku, Ermal Hoxha, Kastriot Imeri, Cesar Avila dhe Ëalther Moreno, bëjnë pjesë në një grup të strukturuar, në kuadër të të cilit ata kanë prodhuar lëndë narkotike dhe kanë tentuar trafikimin e saj jashtë shtetit. Për këtë qëllim ata kanë ndërtuar edhe një laborator, ku përpunohej lënda bazë që dyshohet se përmbante kokainë dhe diltë në formën e saj përfundimtare e gatshme për tu shitur në treg apo trafikuar. Në këtë mënyra ata kanë konsumuar elementët e veprave penale të “trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë, “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope, “prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” si dhe “grupit të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 283/a-22, 284/c, 284/ç, 285 dhe 333/a. Gjithashtu, shtetasi Kelmend Dalipi ka konsumuar edhe veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/4 të Kodit Penal, ndërkohë që Sajmir Batku ka konsumuar edhe veprat penale “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/5 të Kodit Penal.

SHKARKO APP