Përkujtohet në Lezhë 547-vjetori i vdekjes së Skënderbeut

Është përkujtuar në qytetin e Lezhës 547 vjetori i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Me këtë rast Bashkia , Lezhë , ka organizuar aktivitete të larmishme kulturoro-artistike, si vizita në Memorialin e Vendvarrimit të Skënderbeut, fjalë përshëndetëse dhe mbi jetën dhe veprën e lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, koncert artistik etj. në bashkëpunim me Pallatin e Kulturës të qytetit të Lezhës dhe shkollën 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti”, të qytetit të Lezhës në Pallatin e Kulturës Lezhë.

 Me vdekjen e Skënderbeut , botës shqiptare do t`i mungonte një nga personalitetet më të shquara të historisë kombëtare. Lufta e gjatë dhe e ashpër kundër osmanëve, ishte rrjedhojë e ndërgjegjësimit të shqiptarëve e në rradhë të parë e etikës drejtuese të tyre, për pasojat e rënda të pushtimit osman. Përmbajtja kryesore e luftës antiosmane , ishte mbrojtja e jetës së pavarur politiko-shtetërore të shqiptarëve.

Epoka e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të historisë së popullit shqiptar , që la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare përpara se të vendosej pushtimi shekullor osman mbi Shqipërinë. Lufta kaliti guximin , trimërinë dhe heroizmin masiv të shqiptarëve. I një rëndësie të veçantë ishte mbajtja e Kuvendit të Lezhës , më 2 mars 1444 nga Gjergj Kastrioti –Skënderbeu , ku u vendos bashkimi i shqiptarëve dhe krijimi i shtetit të pavarur shqiptar , në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira, me kryetar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. 

Jak Rrozhani

SHKARKO APP