Përmbysi autobusin me 41 persona, 10 ditë burg shoferit
Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka vendosur masën arrest me burg 10 ditë për shoferin e autobusit të linjës Tiranë-Athinë, që doli nga rruga dhe u përmbys dje në mëngjes te ‘Uji i Ftohtë’ në Tepelenë.
Masa e arrestit për drejtuesin e autobusit Ilia Silo 30-vjeç është dhënë nga gjykatësja Albina Spaha. Prokurori i çështjes Klodian Cafka kërkoi 30 ditë burg për shoferin, por gjykata vendosi që të qëndrojë pas hekurave 10 ditë deri në fund të hetimeve për shkaqet që sollën përmbysjen.
Shoferi akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi në momentin e aksidentit ka qenë me 80 km/orë, ndërsa sipas grupit hetimor duhet të ishte me 40 km/orë, pasi ishte në zbritje. Shoferi Ilia Silo 30-vjeç nga Berati me banim në Athinë nuk kishte pranuar avokat ndërkohë që iu vendos një me shpenzime nga shteti.
Autobusi me 41 pasagjerë i linjës Athinë- Tiranë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në aksin Gjirokastër- Tepelenë te ‘Uji i Ftohtë’ në vendin e quajtur ‘Shkalla e Zezë’ dje në mëngjes. Aksidenti ka ndodhur ndërsa autobusi kthehej nga Greqia, si pasojë u transportuan në spital për mjekim 31 persona, ndërsa 16 u larguan, 15 të tjerë qëndruan në spital për të marrë mjekim edhe ditën e djeshme.
KOHA JONË SONDAZH

