Pezullohet koncesioni i pompave
Komisioni i Prokurimit Publik pezulloi tenderin për koncesionin e kontrollit të pompave në stacionet e karburanteve. Vendimi për të pezulluar nismën e shumëpërfolur të qeverisë është marrë pas ankesës së një kompanie private nga Zvicra.
Në ankesë, kompania zvicerane pretendon se procedura e ndjekur nga qeveria për të dhënë me koncesion këtë shërbim është e jo transparente dhe e paligjshme, duke çuar praktikisht në paracaktimin e fituesit pa lejuar garë. Për këtë arsye, Komisioni i Prokurimeve Publike, ka urdhëruar ministrinë e Financave të pezullojë menjëherë tenderin dhe të vërë në dispozicion të Komisionit informacione shtesë për të gjitha pretendimet e ngritura nga kompania.
Aktualisht kontrolli i pompave në stacionet e karburanteve kryhet nga Drejtoria e Metrologjisë. Për këtë kompanitë e karburanteve paguajnë rreth 100 euro në vit për çdo pompë, që kanë në stacionet e tyre. Tenderi i qeverisë ia kalon këtë shërbim në kushte monopol një kompanie private, e cila pritet që në 20 vitet e koncesionit të fitojë mbi 50 milionë euro nga kjo kontratë dhe të kryejë vetëm 500 mijë euro investime.

