Antigona Ramosaj rrëfen për herë të parë betejën me sëmundjen: Motra më shpëtoi!
Antigona Ramosaj, motra e këngëtares së njohur Albërie Hadërgjonaj, ka folur për herë të parë publikisht për përballjen me një sëmundje të rëndë. Ajo ndau disa fjalë gjatë një telefonate në emisionin “Live me Luizin”, ku shprehu mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë nga familja, veçanërisht nga motra e saj.
Edhe pse nuk dha detaje mbi trajtimin dhe vështirësitë që ka kaluar, Antigona vlerësoi qëndrimin e Albëries pranë saj gjatë kësaj periudhe të vështirë.
“Unë falënderoj edhe Albërien që më ka qëndruar afër”, u shpreh ajo.
Gjatë bisedës, moderatori Luiz Ejlli i uroi shëndet dhe tregoi se i vinte mirë që e dëgjonte në gjendje të mirë shpirtërore, pas betejës me sëmundjen.
“E di që ke kaluar një sëmundje të rëndë dhe sot po flet me mua, je e qeshur. Ju motrat paskeni qenë motra, si i thonë, si shota, njëra më e fortë se tjetra. Më vjen mirë që e ke marrë veten. O Zot, mos t’u ktheftë më”, tha Luizi.
Ndërkohë, Albërie Hadërgjonaj përcolli edhe një mesazh inkurajues për personat që po përballen me kancerin. Ajo theksoi se kjo sëmundje nuk duhet parë si fundi i gjithçkaje, duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit dhe kujdesit shëndetësor.
“Kushdo që ka luftë me kancerin, mos ta marrë si fundi i botës. Ka mjekime. Trupi lufton vetë. Të jeni të kujdesshëm. Janë shumë gjëra që s’po i hyj se jam bërë edhe si mjeke”, u shpreh këngëtarja.

