Policia e Shtetit shpëton 76 të pastrehë nga i ftohti ekstrem
Moti i ftohtë që ka pushtuar vendit gjatë ditëve të fundit, ka shkaktuar probleme me qarkullimin, por edhe vështirësi në furnizimin me ujë për shkak të gricave të mëdha. Por ata që i vuajnë më së shumti temperaturat nën zero janë ata që nuk kanë një strehë, apo mundësi ngrohje.
Duke marrë shkas nga i ftohti i acartë, Policia e Shtetit u ka ardhur në ndihmë të gjithë shtetasve të pastrehë në mbarë vendin. Po kështu, ndihmë u është ofruar edhe grave e fëmijëve që kanë mbetur të bllokuar nga dëbora.
“Policia e Shtetit gjatë ditëve të fundit iu ka ardhur në ndihmë në të gjithë vendin shtetasëve të pastrehë, ndërmjet tyre gra dhe fëmijë, të cilëve u rrezikohej jeta nga të ftohëtit. Në përmbushje të detyrës prioritare, Policia e Shtetit në shërbim të komunitetit, e veçanërisht në shërbim të atyre në nevojë, në të gjithë vendin iu ka ardhur në ndihmë 76 shtetasve të pastrehë.
Në Tiranë Patrullat e Përgjithshme kanë ndihmuar duke i sistemuar në qendrat sociale rreth 50 qytetare të pastrehë.
Në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe, janë ndihmuar 26 shtetas, të cilët janë sistemuar në ambjentet e Komisariateve të Policisë, ku trajtohen me ushqim e fjetje nga efektivat e këtyre Komisariateve dhe konkretisht: Në Shkodër 4 shtetas, në Dibër 2 shtetas, në Durrës 6 shtetas, në Elbasan 6 shtetas, në Berat 2 shtetas, në Vlorë Sarandë e Delvinë 6 shtetas.
Policia e Shtetit do jetë përherë e gatshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

