Policia e Vlorës vë në pranga një vjedhës makinash
Aktualitet Kronikë E Diel, 5 Janar 2025 11:21
Falë reagimit të shpejtë të Policisë, parandalohet vjedhja e një automjeti në fshatin Panaja.
Tentoi të vidhte një automjet duke përdorur karroatrecin e tij, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga autori, me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e vjedhjes.
Falë reagimit të shpejtë, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” në DVP Vlorë, koordinuan veprimet për të parandaluar një vjedhje në fshatin Panaja. Si rezultat, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
• G. M., 31 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë në fshatin Panaja, gjatë mbrëmjes së djeshme, duke tentuar të vidhte një automjet tip “Ford Focus” me anë të karroatrecit të tij.
Gjatë kontrollit të karroatrecit, Policia gjeti dy targa të një automjeti tjetër, të cilat dyshohet se ishin vjedhur një ditë më parë në qytetin e Vlorës.
Karroatreci, së bashku me targat e dyshuara si të vjedhura, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë për përcaktimin e qëllimit dhe përdorimit të mundshëm të automjetit që ishte objekt vjedhjeje, si dhe për lidhjet e mundshme të autorit me veprimtari të tjera të paligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.