Policia Rrugore, pezullon 143 leje drejtimi, çon në qeli 54 drejtues, gjobit mbi 22 mijë shkelës
Aktualitet Kronikë E Diel, 8 Shtator 2024 14:27
Nuk ndalon forca e ligjit mbi shkelësit. Ajo është sa korrekte aq dhe e pamëshirshme. Nuk ka vend për gabime, nuk ka as falje, ka një emergjencë për të emancipuar qarkullimin rrugor, i cili me gjas nuk njeh asnjë gjuhë tjetër veç atë të zbatimit të ligjit dhe rregulloreve të qarkullimit rrugor.
Drejtoria e Policisë Rrugore në një shpërndarje në rrjetet sociale ka bërë prezent, masat e shtuara që ajo ka ndërmarrë për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në akset rrugore nacionale në qendrat urbane e rurale.
Si rezultat i monitorimit në të gjitha akset rrugore, 24/7, duke përdorur mjete inteligjente poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë dhe dragera gjatë javës që lamë pas:
-janë pezulluar 143 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
-janë arrestuar 54 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 22 387 masa administrative, nga këto:
– 6301 për shpejtësi tej normave të lejuara;
– 1234 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
– 1076 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
– 2409 për parakalime të gabuara;
– 203 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
– 111 për manovra të rrezikshme në rrugë;
– 223 për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;
– 9003 për parkim të gabuar;
– 1827 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Për javën në vijim Policia Rrugore ka marrë një sërë masash shtesë në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor, që t’iu japin përparësi këmbësorëve dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.