Prefekti Shkëlqim Hajdari vlerëson Tiranën: Koordinim institucional dhe zhvillim i mëtejshëm i qarkut
Shkëlqim Hajdari ka theksuar rëndësinë e Tiranës si qendra më e madhe administrative, ekonomike dhe njerëzore e Shqipërisë, duke nënvizuar nevojën për institucione më moderne, dinamike dhe efikase në përballimin e sfidave të kohës. Gjatë fjalës në organizimin për 100 vjetorin e Prefekturës së Tiranës, prefekti Hajdari vlerësoi se zhvillimet ndër vite dhe përvoja institucionale e kanë bërë të domosdoshme fuqizimin e rolit të prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në qark.
“Një prefekturë më e fortë do të thotë një shtet më i organizuar, institucione më bashkëpunuese dhe më shumë siguri e shërbim për qytetarët”,-u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit qendror, vendor, forcave të rendit, strukturave të emergjencave civile dhe qytetarëve. Në mesazhin e tij, Hajdari falënderoi punonjësit e administratës, institucionet partnere dhe të gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e Tiranës dhe Shqipërisë.
Duke e përmbyllur me një thirrje për bashkëpunim, ai theksoi vizionin për një Tiranë më të zhvilluar, më të sigurt dhe më të drejtë, duke e cilësuar kryeqytetin si “zemrën e kombit shqiptar”, ku bashkohen historia, identiteti dhe aspiratat e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Prefektura e Tiranës feston 100-vjetorin, Shkëlqim Hajdari kërkon fuqizimin e rolit të prefektit
KOHA JONË SONDAZH

