Premtimi i parë i Manastirliut si ministe e Arsimit: Rritja e pagave të mësuesve, është prioritet absolut
Në daljen e saj të parë si ministre e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu parashtroi prioritetet strategjike për të rritur cilësinë në arsim dhe mbështetjen për sportin, gjatë një takimi të zhvilluar sot me stafin e strukturave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Manastirliu foli për mbështetjen nëpërmjet rritjes së pagave dhe edukimin në vazhdim për të gjithë mësuesit. “Do të rrisim rolin dhe figurën e mësuesit dhe do t’i mbështesim me edukimin në vazhdim dhe rritjen e pagave. Rritja e pagave do të jetë një prioritet absolut”, u shpreh Manastirliu.
Gjatë takimit me stafin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ministrja Manastirliu theksoi se do të standardizohet infrastruktura didaktike në rrjetin shkollor në çdo cep të vendit, për t’iu përgjigjur kohës dhe teknologjisë.
Gjatë prezantimit të prioriteteve, Manastirliu u ndal tek zgjerimi i platformave interaktive përmes digjitalizimit dhe inovaconit apo edhe inteligjencës artificiale. Në fokus të veçantë, ministrja Manastirliu vendosi tek mbështetja për sportin, për çdo disiplinë, si dhe promovimi i kampionateve sportive në shkolla.
Ministrja lajmëroi nisjen e një turi të gjerë konsultimesh me mësues, nxënës dhe prindër në shkollat e vendit, si një platformë lëvizëse dialogu, për të përfshirë në bashkëbisedime të hapura trinomin prindër-mësues-nxënës, në funksion të përmirësimit të sistemit arsimor në vend.