Prençi: Po menaxhojmë shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura

Drejtoria e Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Shtabet e Emergjencave në qarqe po menaxhojnë proçesin e shpërndarjes së ndihmave për banorët në zonat e goditura nga përmbytjet.

Përmes një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Emergjencave, bën të ditur se, ndihmat, jo vetem nga Revervat e Shtetit por edhe nga organizata, institucione të tjera, individë e biznese, janë dërguar në çdo qëndër komune.

Drejtori i Emergjencave Shemsi Prençi ishte sot në krye të operacionit të shpërndarjes së ndihmave në Komunën e Levanit, qarku Fier.

Prefektët në bashkepunim me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë po hartojnë listat me emrat e familjeve më në nevojë për ushqime, veshmbathje, por edhe bazë ushqimore për bagëtitë.

“Ndihmat e konsiderueshme janë magazinuar në ambjente të siguruara nga komunat, për të përballuar çdo situatë në ditët në vazhdim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Emergjencave.

SHKARKO APP