Presidenti dhe Kryeministri priten sot Princin dhe Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, Fra’ Matthew Festing
Presidenti i Republikës mikpriti sot Princin dhe Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, Fra’ Matthew Festing
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, me një ceremoni zyrtare, Princit dhe Mjeshtrit të Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, Lartësisë së Tij Më të Shquar Fra’ Matthew Festing.
Pas ceremonisë së mirëseardhje dhe ekzekutimit të himneve të të dy vendeve, Presidenti Nishani dhe Mjeshtri i Madh Fra’ Matthew Festing zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin dypalësh të delegacioneve zyrtare përkatëse.
Në përfundim të takimit dypalësh, Kreu i Shtetit shqiptar dhe Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran të Maltës dhanë nga një deklaratë për shtyp.
Deklarata për shtyp e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani:
“Sot, pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që t’i uroj zyrtarisht mirëseardhjen në një vizitë shtetërore, mikut të Shqipërisë, Princit dhe Mjeshtrit të Madh të Urdhrit Sovran të Maltës, Lartësisë së Tij Më të Shquar Fra’ Methju Festing, i cili shoqërohet në këtë vizitë nga Kancelari i Madh dhe Ministri i Shëndetësisë i Urdhrit të Maltës.
Zhvilluam një bisedë të ngrohtë e miqësore, ku vlerësuam marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Urdhrit të Maltës, dhe ku shprehëm interesin për nxitjen, intensifikimin dhe pasurimin e tyre të mëtejshëm. Konstatuam dhe vlerësuam me kënaqësi se, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Urdhrit të Maltës, në vitin 1994, me vullnetin dhe angazhimin e përbashkët përgjatë këtyre 20 viteve, kemi mundur t’i formësojmë dhe konsolidojmë ato në vazhdimësi. Ramë dakord për të nxitur më tej bashkëpunimin mes dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe të emergjencave civile, duke nënvizuar rëndësinë e pasurimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dypalësh.
Gjithashtu, sot pata mundësinë t’i shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë, Mjeshtrit të Madh, mirënjohjen time e të popullit shqiptar për gjithë kontributin e çmuar që Urdhri Sovran i Maltës, përmes Ambasadës dhe shërbimit të tij të ndihmës Malteser Shqipëri, ka dhënë në këto 20 vjet për vendin tonë. Me ndihmën e vullnetarëve të shumtë të Malteser Shqipëri, janë implementuar projekte të shumta, në fushat humane të shëndetësisë, arsimit e ndihmës sociale, veçanërisht në zonat e veriut të vendit, si dhe në përballimin e emergjencave civile. Jemi mirënjohës që këto projekte kanë përmirësuar jetën dhe integruar në shoqëri një numër të madh njerëzish e grupesh shoqërore në vështirësi ekonomike e të margjinalizuara. Një falënderim të veçantë ia bëra mikut tonë edhe për ndihmat humanitare që Urdhri i Maltës ofroi për përballimin e fluksit të madh të refugjatëve gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999.
Në bisedën tonë nuk mund të mungonte dhe harmonia dhe bashkëjetesa paqësore mes komuniteteve të ndryshme fetare në Shqipëri, si një vlerë unikale dhe shumëshekullore që jo vetëm duhet ruajtur por edhe promovuar. Vlerësuam se në kohën që jetojmë dhe kur mbarë bota e qytetëruar është e kërcënuar nga rreziku i terrorizmit ndërkombëtar, ISIS dhe konfliktet mbi baza fetare, kjo vlerë merr një rëndësi të veçantë.
Duke i shprehur edhe një herë Mjeshtrit të Madh, Lartësisë së Tij Më të Shquar, mirënjohjen dhe falënderimet e përzemërta për gjithë kontributin e vyer dhënë vendit tonë, i uroj një vizitë të këndshme e një qëndrim të mbarë në Shqipëri. Faleminderit!”
Deklarate e Kryeministrise
Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim Princin dhe Mjeshtrin e Madh të urdhrit Sovran të Maltës Fra’ Matthew Festing, i cili ndodhet në vendin tonë me rastin e 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës.
Kryeministri Rama dhe Princi i Urdhrit të Maltës shprehën vullnetin e përbashkët për të zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet mes dy vendeve, në shëndetësi dhe shërbimet sociale ku bashkëpunimi është konkretizuar tashmë nëpërmjet një sërë projektesh të rëndësishme.
KOHA JONË SONDAZH

