Presidenti Meta: “Të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e përbashkët, që ka përparësi mbi të mirën e partisë”

Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në ceremoninë fetare të shugurimit ipeshkvor të Imzot Arjan Dodaj si Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë-Durrësit. Në një mesazh të publikuar në Facebook, kreu i shtetit shprehet se politika duhet të marrë shembull nga udhëheqësit fetarë.

Presidenti citon shprehjen e Arqipeshkëvit Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo, i cili tha se: “Të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e përbashkët, që ka përparësi mbi të mirën e partisë”.

“I nderuar të merrja pjesë sot në meshën dhe ceremoninë e rëndësishme fetare të shugurimit ipeshkvor të Sh.T. Imzot Arjan Dodaj si Ipeshkëv Ndihmës i Tiranë-Durrësit. Me urimet e ngrohta për suksese në misionin e Tij hyjnor, të përhapjes së porosive të Zotit dhe mësimeve të shenjta, u bashkohem lutjeve të besimtarëve për një Shqipëri më të drejtë, më të denjë, humane, të dhembshur dhe më vëllazërore! Vlerësoj mesazhin e mençur të Arqipeshkëvit Metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo se: “Të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e përbashkët, që ka përparësi mbi të mirën e partisë”. Politika të marrë shembull dhe të verë në jetë porositë e udhëheqësve tanë të ndritur fetarë!”,- shprehet kreu i shtetit në mesazhin e tij.

SHKARKO APP