Prioritetet e Bujqësisë – Nga rritja e përfituesve të fondeve te ulja e gjobave dhe bizneseve të mbyllura

Në projektbuxhetin e vitit 2020, Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar një serë prioritetesh për vitet në vijim.

Në listën e prioriteteve janë edhe rritja e numrit të fermerëve që përfitojnë nga skema e mbështetjes financiare, rehabilitimi i veprave mbrojtëse nga përmbytjet,rritja e numrit të punësuarve në bujqësi dhe agropërpunim,rritja e numrit të veterinerëve në mbarë vendin, ulja e numrit të gjobave të vendosura nga inspektimet në terren, ulja e numrit të bizneseve të mbyllura për mosplotësimin e kushteve të sigurisë ushqimore etj.

Prioritetet e sektorit të bujqësisë, për periudhën afatmesme 2020-2022, janë si më poshtë:

-Garantimi i sigurisë ushqimore, shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve, dhe shëndetit të bimëve përmes adoptimit të standardeve përkatëse të BE-së në kuadrin normativ vendas;

-Konsolidimi i pronësisë mbi tokën bujqësore, administrimi i qëndrueshëm, ruajtja e saj nga dëmtimi, gërryerja, shpërdorimi dhe faktorë të tjerë;

-Nxitja e tregut të tokës dhe konsolidimi i fermës bujqësore duke rritur sipërfaqen dhe nxitur kooperimin;

-Mbështjetje për agroindustrinë;

-Mbështjetje për tregjet dhe marketingun e produkteve bujqësore dhe blegtorale;

-Administrimi i sistemit të ujitjes nëpërmjet kujdesit, sigurimit dhe administrimit të qëndrueshëm të sistemit të ujitjes dhe shmangia e përmbytjeve;

-Mbështetje financiare dhe asistencë teknike për fermerët.

-Zhvillimin i qëndrueshëm i sektorit të peshkimit dhe akuakulturës, shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore  dhe kapaciteteve të flotës së peshkimit si dhe ngritjen e një sistemi kontrolli dhe inspektimi për peshkimin në det, në tokë dhe në të gjithë zinxhirin e tregut.

Në fushën e “Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit”, synohet të realizohet:

-Rritja e % së fermerëve që përfitojnë nga përmirësimi i infrastrukturës ujitëse dhe kulluese ndaj totalit të fermërëve në sipërfaqen potencialisht të ujitshme nga 70.3% në vitin 2019, në 76% në vitin 2022;

-Përqindja e sipërfaqes ujitëse ku fermerët kanë akses për ujë për ujitje, kundrejt sipërfaqes potencialisht të ujitshme (360 000 ha) nga 66.6% në vitin 2019, në 72% në vitin 2022;

-Përqindja e hidrovoreve të rehabilituara/ndërtuara/rikonstruktuara, kundrejt totalit të nevojshëm (14 hidrovorë) nga 21.4% në vitin 2019, në 36% në vitin 2022;

-Mirëmbajtje vjetore të rrjetit kullues për 45 000 hektarë tokë si proces ciklik vjetor;

-Vepra të mbrojtjes nga përmbytja të rehabilituara/ndërtuara (argjinatura gjatësore dhe penele tërthorë), kundrejt totalit të nevojshëm (300 km) nga 12% në vitin 2019, në 28% në vitin 2022.

Në fushën e zhvillimit Rural duke mbështetur Prodhimin Bujqësor, Blegtoral, Agroindustrial dhe Marketingun” synon rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore dhe blegtorale  përmirësimi i standardeve dhe garantimi i sigurisë ushqimore, si dhe zhvillimi i zonave rurale për një zhvillim bujqësor dhe rural të qëndrueshëm përmes nxitjes së shumëllojshmërisë së veprimtarive ekonomike në zonat rurale, duke rritur:

-Numrin e të punësuarëve në bujqësi dhe agropërpunim;

-Sipërfaqet e mbjella me fruta dhe perime;

-Aktivitetet promovuese të produkteve shqiptare në bujqësi, blegtori dhe agropërpunim të kryera.

Arritja e standarteve të BE-së, në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, nëpërmjet:

-Shtimit të numrit të përfituesve nga skema e masave mbështetëse në bujqësi nga 1800 përfitues në vitin 2019 në 2450 përfitues në vitin 2022;

-Certifikimit dhe testimit të farave dhe fidanëve që hidhen në treg në mënyrë që të sigurohen inpute cilësore për bujqësinë.

Nëpërmjet programit “Siguria Ushqimore dhe Mbrojtja e Konsumatorit” synohet fuqizimi i sistemit të kontrollit dhe inspektimit, duke përfshirë të gjithë zinxhirin ushqimor nga ferma në tavolinë nëpërmjet:

-Kontrolleve dhe monitorimeve të sëmundjeve infektive dhe zoonotike në kafshët e gjalla duke ulur në këtë mënyrë numrin e kafshëve të prekura nga Bruceloza, nga plasja dhe nga tuberkulozi.

-Do të vijojë zbatimi i politikave të shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve të gjalla, si dhe programet e parandalimit, kontrollit, eliminimit deri në çrrënjosjen e sëmundjeve infektive në kafshë, sipas përcaktimeve të legjislacionit veterinar, nëpërmjet:

-Vaksinimit të rreth 930 mijë kafshëve përgjatë viteve 2020-2022.

-Rritjes së numrit të kontrolleve tek kafshët nga 170 mijë në vitin 2019, në 173 mijë në vitin 2022.

-Punësimit në të gjitha komunat të një veterineri zyrtar me qëllim që të rritet kontrolli dhe fusha e mbulimit të vendit me mjekë veterinerë (në total 170 veterinerë).

-Mbajtjes së një fondi për emergjencat veterinare dhe emergjencat për sigurinë ushqimore. Ky zë përdoret në rastet e shpërthimit të sëmundjeve ose epidemive të cilat janë të pa parashikueshme.

-Rritja e numrit të çertifikatave të unifikuara për eksport nga 18 në vitin 2019, në 40 në vitin 2022.

-Rritjes së numrit të operatorëve që aplikojnë standardet HAÇP në sigurinë ushqimore nga 1000 në vitin 2019, në 1200 në vitin 2022.

-Rritjes së numrit të inspektimeve; uljes së numrit të gjobave të vendosura nga inspektimet në terren (nga 1599 në vitin 2019, në 1200 në vitin 2022), uljes së numrit të bizneseve të mbyllura për mosplotësimin e kushteve të sigurisë ushqimore (nga 383 në vitin 2019, në 300 në vitin 2022), numrit të rasteve të produkteve ushqimore të hequra nga tregu ushqimore (nga 60 në vitin 2019, në 38 në vitin 2022) dhe uljes së numrit të ngarkesave të kthyera në Pikat e Inspektimit Kufitar (nga 38 në vitin 2019, në 26 në vitin 2022) si pasojë e politikave të ndërmarra nga MBZHR.

-Uljen e rasteve të sëmundshmërisë së njerëzve të shkaktuara nga kafshët

SCAN

SHKARKO APP