Pritë me armë zjarri dy të rinjve në Tropojë, policia jep detajet
Policia e Tropojës ka dhënë detaje nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e kaluar në aksin rrugor Tropojë- Lekbibaj, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Rajzes”, kur persona të maskuar dhe të armatosur u kanë bërë pritë me armë dy të rinjve, duke i plagosur.
Sipas policisë të plagosurit janë Fatjon Markaj 26 vjeç dhe Ermal Rosaj 26 vjeç dhe po udhëtonin me një mjet tip kamionçinë. Pasi kanë qëlluar me armë në ajër, autorët kanë plagosur dy të rinjtë me mjete të forta. Në largim e sipër ata kanë djegur edhe kamionçinën e të plagosurve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 02.10.2017, njoftohemi nga Salla Operative Tropojë, se në aksin rrugore Tropojë- Lekbibaj, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Rajzes”, ka të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ku ka rezultuar se:
Rreth orës 22:30, rrugës për në banesë, shtetasit F.M dhe E.R., duke levizur me mjetin tip kamioncin, janë ndalur nga persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në ajër, dhe më pas i kanë goditur me mjete të forta shtetasin F.M 29, vjeç, banues në Lekbibaj dhe E.R, 27 vjeç, banues në Lekbibaj, të cilët ndodhen në spitalin e Tropojës, jashtë rrezikut për jetën.
Personat ende të pa identifikuar gjatë largimit i kanë vëne flakën edhe automjetit kamionçinë në pronësi të shtetasit E.R.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja arme zjarri.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

