Problem mësimi online dhe investimi te brezi i ri
Dita Ndërkombëtare e Arsimit i gjen këtë vit studentët si rrallë herë jashtë auditoreve. Për shkak të pandemisë universitetet qëndrojnë ende të mbyllura. Studentët kanë pakënaqësi për mësimin online pasi nuk është efektiv. Ndonëse të njëjtat masa kanë edhe vendet e rajonit dhe Europës, teknologjia në vendin tonë sipas shoqërisë civile është e vonuar në implementim.
Mbështetja me 3.3 % e PBB e arsimit shihet si shifër e pamjaftueshëm, në një kohë kur edhe universitetet shpërdorojnë të ardhurat nga tarifat e studentëve. Përveç problemeve që solli pandemia, ndër vite ekspertët e arsimit vërejnë edhe mangësi të mbështetjes e nxënësve, në identifikimin e talenteve dhe orientimin drejt punësimit.
Pedagogu Erion Muça thotë se arsimtarët kanë prirje mjaft të ulëta drejt këtij procesi. Sipas pedagogut kjo sjell edhe vështirësi për studentët në përshtatjen e tregut të punës, pasi nuk janë informuar mbi nevojat që sot ka vendi ynë.