Procesi i deinstitucionalizimit, ministrja Koçiu: 839 familje në rrezik janë mbështetur në Korçë dhe Vlorë

Hapa të rëndësishëm janë bërë në procesin e deinstitucionalizimit, duke pasur në fokus mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në nevojë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se deinstitucionalizimi ose procesi i zhvendosjes nga institucionet rezidenciale, synon që fëmijët të rriten dhe të mbështeten në një mjedis familjar dhe gjithëpërfshirës.

Ky proces, thekson Koçiu, synon të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të rrisë pavarësinë e tyre, duke ofruar mbështetje më të personalizuar dhe të përshtatur me nevojat specifike të fëmijëve dhe familjeve. Ministrja duke folur me statistika informoi se 839 familje në rrezik janë mbështetur në dy bashki, Korçë dhe Vlorë, 256 individë kanë përfituar këshillim psiko-social, 27 familje kanë marrë shërbime të specializuara dhe 75 prindër kanë marrë pjesë në klasa për prindërimin pozitiv.

“Partneriteti dhe koordinimi institucional kanë mundësuar ngritjen dhe trajnimin e mbi 120 profesionistëve nga fusha të ndryshme”, u shpreh ajo. Ajo përcolli edhe historinë e një familjeje, e cila 4 vite më parë kishte dërguar 2 fëmijët e saj, Anrin dhe Eljonin në Shtëpinë e Fëmijës në Durrës. “Lënia në këtë institucion erdhi pasi nuk kisha mbështetje, isha pa punë“, tregon nëna e tyre.

Në vitin 2021 ka filluar edhe zbatimi i procesit të transformimit të institucioneve të përkujdesit shoqëror në qendra shërbimesh për fëmijë e familje, në bashkitë Korçë dhe Vlorë. Ky proces po vazhdon në bashkitë Tiranë e Durrës, si një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me mbështetjen e UNICEF-it në Shqipëri. “Pata fatin e mirë që u njoha me punonjësit socialë. Më kanë mbështetur edhe ato të Shtëpisë së Fëmijës. Derisa unë të rimëkëmbem që t’i kthej prapë fëmijët e mi bashkë në shtëpi”, vijon rrëfimin nëna e Anrit dhe Eljonit.

16 fëmijë jetojnë aktualisht në 9 institucione të përkujdesit shoqëror në Shqipëri. Gjatë vitit 2023 6 fëmijë janë bashkuar me familjet biologjike dhe 13 fëmijë janë në proces ribashkimi. “U ndjeva shumë e lumtur kur u takuan fëmijët së bashku dhe do të dëshiroja që ato të jenë gjithmonë kështu”, thotë nëna. Ajo u bëri thirrje edhe nënave të tjera që gjenden në kushte të vështira sot, të mos heqin dorë dhe të kërkojnë mbështetje.

SHKARKO APP