Prof. Dr. Mons. Simon Duka, arbëreshi nga zara, që drejtoi arkivat sekrete të Vatikanit

NGA ANTON DEDAJ
Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë, në Zarë, Kroaci

Kush është arbëreshi nga Arbanasi, të cilin qyteti i Zarës në vitin 2000 e nderoi me çmimin e lartë “Për Arritje Jetësore”, kurse Universiteti i Zarës e shpalli “Doktor Nderi”.

Ai quhet Simon Duka, (Šime ose Simeone Duka) -1915-2006, dhe ka lindur në Arbanas të Zarës, në Kroaci.
Në vendlindjen e tij ai kreu studimet e teologjisë dhe u shugurua meshtar. Për një kohë të shkurtër Duka ka shërbyer në famullinë Dracevac dhe më pas sipas kërkesës që iu bë atij nga Arqipeshvi i Zarës, Pietro Doimo Munzoni ai filloi shërbimin si sekretar i tij personal.
Pas kapitullimit të Italise dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, bashkë me Arqipeshkvin Munzoni, largohet nga Zara.

Në Vatikan Duka vazhdon shkollimin dhe mbron dy doktoratura, një në ligjin civil dhe një tjetër në atë të studimeve kanonike (kishtare) në Universitetin Lateran në Romë, duke u specializuar në Arkivistikë.

Sekretar i Arkivit Sekret të Vatikanit

Simon Duka, më pas emrohet Sekretar i Arkivit Sekret të Vatikanit, ku shërben për shumë vjet. Ai, sëbashku me një tjetër sekretar të Arkivit në fjalë, kroatit, Prof. Dr. Atë Basil Panxhiq ka shkruar e botuar librin “Doracak për Arkivistikën Kishtare”.

Arkivi Sekret i Vatikanit, është vendi qëndror ku ruhen të gjithë dokumentet e Selisë së Shënjtë.
Me ligjet e Vatikanit, Papa deri në vdekje apo dorëheqje, është pronar i atij arkivi, derisa të zgjidhet pasardhësi tjetër i kreut të Selisë së Shenjtë.
Në këtë arkiv ruhen të gjitha dokumentet shtetërore të Vatikanit. Por duhet sqaruar se fjala sekret krijon konfuzion dhe nuk ka kuptimin e sotëm “i fshehtë”, por domethënja reale e saj është “personal”, “privat”, dhe vjen nga fjala latine “sekretar”.
Pra, duke qënë sekretar i këtij arkivi, Simon Duka ka patur mundësinë të shohë mijëra dokumente të dala nga Vatikani dhe Papët, si dhe ato që kanë ardhur në adresën e Vatikanit apo Papës, – pozitë kjo që kërkon një besim absolut. Duke e patur këtë besim, Imzot Simon Duka ka qënë i emruar edhe Protonoter Apostolik, si dhe Prelat Përsonal i Papa Gjon Palit të II – të.

Krejt pasuria e tij shkoi për Kishën

Monsinjor Simon Duka gjatë karrierës së tij arriti të grumbulloi një fond shumë të madh financiar. Por, sipas atyre që e kanë njohur, edhe pse ka banuar në një vilë luksoze, me shërbëtor, ai vetë për vete ka bërë një jetë mjaft modeste, duke veshur të njëjtat rroba derisa i janë ronitur në trup, dhe duke mos shpenzuar gati asgjë për vete dhe nevojat e veta përsonale.
Krejt pasurinë ai e ka përdorur për Kishën. Këtë ai e ka vërtetuar edhe me vepra, duke dhururuar para për ndërtime apo rinovime të shtatë kishave ne Zarë. Me këto para Monsinjor Duka ka ndërtuar kisha edhe në Shqipëri dhe Itali.

Si Arbanasa’s i devotshëm ai nuk ka harruar as kishën e vendlindjes së tij atë të “Zojës së Loretos”, në Arbanas, të cilën e ka rinovuar me fondet e veta.
Prof.Dr. Mons. Simon Duka, gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij ka mbajtur lidhje të ngushta me njerëz me poste shumë të larta, si në hierarkinë e kishës, ashtu edhe me ato të qeverive në Itali dhe Kroaci. Dhe si shqiptar që ishte, (gjë që e deklaronte vetë me shumë krenari), Duka ka patur lidhje shumë të ngushta edhe me Nënë Terezën, dhe me nismën e saj ka financuar rindërtimin e kishës së Rrenzë Kështjellit “Rozafat”, kishën e “Zojës së Këshillit të Mirë” në Shkodër, e cila qe rrënuar deri në themel nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
Ka patur gazetarë dhe media që kanë spekuluar gjatë rreth prejardhjes së pasurisë shume milionëshe të Monsinjor Dukës. Por asgjë e dyshimtë nuk është provuar kurrë rreth figurës së tij. Imzot Duka ka preferuar t’u përgjigjet shumë shkurt të gjitha pyetjeve që i janë bërë duke thënë: “Providenca Hyjnore më ka bërë mjet te planeve të Tij”.

“Rikthimi” i tij në Zarë
Prof.Dr. Mons. Simon Duka ndërroi jetë në Romë, në moshën 91 vjeçare, më 28 Mars 2006.
Tre ditë më pas, pikërisht më 31 Mars 2006, trupi i pajetë i Monsinjor Dukës, u dërgua pranë kishës famullitare “Zoja e Loretos”, në Arbanas të Zarës në Kroaci e prej aty në katedralen “Shën Anastasia” (Svata Stosia) në qendër të Zarës. Meshën përmortore e udhëhoqi një tjetër Arbanas i njohur në Zarë, tashmë i ndjerë, Imzot Ivan Prengja. Pas meshës Prof.Dr. Mons. Simon Duka është varrosur në kishën e Zonjës së Shëndetësisë, (rinovuar nga vetë ai), përbri varrit të Arqipeshkvit Vicko Zmajeviq, ku thuhet se edhe nëna e Monsinjor Dukës është lutur shpesh.
Prof.Dr. Mons. Simon Duka është me të vërtetë një përsonalitet me të cilin ashtu siç krenohen Arbanasit dhe Kroatët duhet të krenohen krejt bashkëkombasit e tij, Shqiptarët, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e në mbarë botën.

 

SHKARKO APP