Profesori italian: Tërmeti në Shqipëri, efekte sizmike në vargmalin e Apenineve në Italinë e Jugut
Ekspertët italianë të sizmologjisë analizojnë efektet e aktivitetit sizmik të tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 nëntor e mbi pasojat që mund të ketë për të ardhmen në Italinë e jugut.
Eksperti italian i sizmologjisë Enzo Montavani, Profesor në Departamentin e Shkencës Fizike të Tokës e Ambientit në Universitetin e Sienës në një intervistë të dhënë për portalin meteoweb.ue është shprehur se tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri mund të ndikoj duke manifestuar brenda pak vitesh efekte sizmike në vargmalin e Apenineve në Italinë e Jugut.
Madje profesori italian i bëri apel Departamentit të Mbrojtjes Civile të inkurajojë ndërhyrje parandaluese në territoret e Irpinia, Benevento e në të gjitha zonat sizmike të Apeninit Jugor.
Pas intervistës së tij Departamenti Italian i Mbrojtjes Civile ka dalë me një deklaratë zyrtare ku sqaron se ” ky institucion është i impenjuar në parandalimet strukturore e jo strukturore. Relativisht në studimin e fenomeneve pararendëse të ngjarjeve sizmike, ky departament në bashkëpunimin me Institutin e Sizmologjisë e Vullkanologjisë është angazhuar në përpunimin e një projekti të gjerë kërkimor që do t’i prezantohet së shpejti Komisionit Kombëtar për parashikimin e parandalimin e rreziqeve të mëdha me qëllimin e përmirësimit të sistemit të sigurisë për qytetarët italianë.”
Sipas profesorit italiane të gjitha aktivitetet sizmike të regjistruara në territorin e Apenineve jugore janë paraprirë nga lëkundje të forta sizmike në Alpet Dinarike jugore duke argumentuar me fakte se tërmeti i fortë i prillit të 1979 i shkallës 7 Richer në Mal të Zi u pasua me tërmetin katastrofik në Irpinia në nëntor të 1980 i shkallës 6.8 ballë. Probabiliteti se një korrespondencë e tillë mund të jetë e rastësishme është mjaft i ulët.
Supozimi më i mundshëm është se këto dy zona kanë një ndërlidhje tektonike mes tyre. Madje në tërmetet me shkallë më të ulët se 5.2 vetëm 1 në çdo 15 tërmete të regjistruara në Apeninet jugore nuk paraprihet nga lëkundje të forta sizmike në alpet Dinarike,
Sipas profesorit italian analizat sasiore të fenomenit fizik që nënvizojnë lidhjen e vëzhguar mes këtyre dy zonave tregojnë se koha e pritur për përhapjen e trazirave sizmike të shkaktuara nga një tërmet ballkanik në Apeninet Jugore është 1 deri në dy vite.
Ndërsa Departamenti italian i Mbrojtjes Civile informon se qeveria italiane prej vitit 2009 ka investuar rreth 965 milionë euro për të parandaluar rrezikun sizmik pikërisht në zonat e përmendura nga Profesori italian pra në territorin e Apenineve Jugore.