Projektligj i ri për shërbimin spitalor, Manastirliu: Spitalet do të kenë autonomi financiare dhe menaxheriale

E pranishme këtë të hënë në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se spitalet do të kenë autonomi financiare dhe menaxheriale. Po ashtu Manastirliu foli edhe për risitë që sjell ligji i ri për “Shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”.

“Ligji parashikon risi, duke futur konceptin e ri të modelit të autonomisë spitalore. Një model i cili parashikon të krijojë dy nënmodele: modelin e autonomisë spitalore menaxheriale dhe modelin e autonomisë spitalore financiare, nëpërmjet një instrumenti që e kemi quajtur “kartën e autonomisë spitalore”. Kjo do të bëjë të mundur që spitalet, të cilat janë të përgatitura me burimet njerëzore, të administrojnë në një tjetër nivel qoftë buxhetet e alokuara por edhe të kenë mundësi të krijojnë mënyra të reja për të vetëfinancuar spitalet, nëpërmjet marrëveshjeve me të tretët”, tha Manastirliu.

Duke ritheksuar që modeli i ri i autonomisë spitalore do të pilotohet fillimisht në Spitalin Memorial Fier, Manastirliu tha se do të ketë një planifikim kombëtar spitalor.

“E rëndësishme për të theksuar është se do të kryhet planifikimi kombëtar spitalor dhe planet rajonale. Gjithashtu vijmë me një koncept të ri të mënyrës se si do të organizojmë spitalet. Deri sot kemi pasur vetëm spitalet bashkiake, spitalet rajonale dhe spitalet terciare. Por tashmë vijmë dhe me koncepte të reja sikurse është spitali ditor dhe gjithashtu spitalet mbi baza rajoni, pra spitale që i shërbejnë jo vetëm qarkut, por gjithë rajonit”, tha Manastirliu.

Me projektligjin e ri “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, spitalet do të kenë autonomi menaxheriale, sa i takon administrimit, organizimit dhe aspektit rregullator si dhe autonomi financiare, që do të thotë që do të jenë institucione që vetëfinancohen, duke përdorur jo vetëm burimet nga buxheti i shtetit, por edhe burime të tjera të ligjshme.

SHKARKO APP