Projektligji i ri për sektorin minerar, ndryshojnë kriteret për lejet dhe detyrimet për rehabilitimin e peizazhit
Zgjerimi i subjekteve që mund të përfitojnë të drejta minerare, lehtësimi i procedurave administrative dhe forcimi i detyrimeve për rehabilitimin e zonave të shfrytëzuara janë disa nga ndryshimet e propozuara në projektligjin e ri “Për sektorin minerar”, të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Projektligji parashikon që veprimtaria minerare të mund të ushtrohet edhe nga personat fizikë, krahas personave juridikë vendas dhe të huaj. Sipas relacionit shoqërues, kjo e drejtë do të jetë e kushtëzuar nga përmbushja e kritereve teknike, financiare dhe mjedisore të përcaktuara nga legjislacioni.
Një tjetër ndryshim lidhet me garancitë financiare për veprimtarinë minerare, të cilat propozohet të mund të sigurohen edhe përmes bankave të huaja. Kështu, hiqet kufizimi që garancitë të lidhen vetëm me bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Sipas ministrisë, këto ndërhyrje synojnë përafrimin me direktivën e Bashkimit Evropian për shërbimet në tregun e brendshëm dhe eliminimin e pengesave të panevojshme për operatorët. Në projektligj përcaktohet edhe një afat maksimal prej 12 muajsh për rehabilitimin e sipërfaqeve të shfrytëzuara minerare, i cili nis nga përfundimi i vlefshmërisë së lejes ose nga data e vendimit për revokimin e saj.
Nëse zotëruesi i lejes braktis zonën ose nuk përfundon planin e rehabilitimit brenda këtij afati, garancia e plotë e rehabilitimit do të kalojë në favor të shtetit dhe do të përdoret për realizimin e ndërhyrjeve rehabilituese. Ndryshime parashikohen edhe në raportimin e zotëruesve të lejeve të kërkim-zbulimit. Raportimi çdo tre muaj propozohet të zëvendësohet me raportim çdo gjashtë muaj kalendarikë, me argumentin e uljes së barrës administrative dhe harmonizimit me periodicitetin e raportimit për lejet e shfrytëzimit.
Projektligji parashikon gjithashtu që kushtet për dhënien e lejeve të shfrytëzimit të minierave sipërfaqësore për qëllime publike vendore ose kombëtare të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet e propozuara nuk parashikohet të kenë efekte të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit.
A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?
Results
Vota totale: 4546

