Prokurori: Vetëm kur ndërhymë, pamë që në Xibrakë ishte laborator kokaine

Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, tha në emisionin “Opinion” të Gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan se deri në momentin e ndërhyrjes në fshatin Xibrakë, nuk dihej çfarë fshihej aty dhe për më tepër se në ato magazina ndodhej një laborator i përpunimit të drogës.

“Më 17 dhjetor mbërriti një informacion nga Gjermania” – tha ai. “U informua prokuroria dhe policia për një aktivitet që dyshohej se kryhej në territorin shqiptar. Materialet i regjistruam si çështje penale”, – u shpreh prokurori Beci. Sipas tij, në bashkëpunim me policinë janë identifikuar personat.

“Nuk ka patur asgjë të veçantë për shumë ditë me rradhë. Kishte vetëm të dhëna sporadike. Dy ditë përpara operacionit janë marrë të dhënat. Nuk e dinim që kishte një laborator droge”- u shpreh prokurori i Krimeve të Rënda.

Beci shkon edhe më tej kur zbulon se hetuesit madje nuk dinin as se çfarë ndodhej në makinën ku u zbulua gati 19 kg kokainë. “Ne e dinim që diçka kishte, por jo se deri ku arrinte kjo gjë.” Beci nënvizoi se nuk mund ta shtynin më gjatë hetimin në fshehtësi pasi rrezikonin të zbuloheshin për shkak se magazina ishte e izoluar dhe se aksioni mund të dekonspirohej. Operacioni i policisë u realizua më 14 janar 2015, më pak se një muaj pas ardhjes së informacionit nga Gjermania.

Shpërthimet me tritol

Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, tha gjithashtu gjatë emisionit “Opinion” se nga hetimet kanë rezultuar mënyra të ndryshme të funksionimit të atyre që quhen “vrasës me pagesë” me anë atë shpërthimit me tritol. Sipas tij, kjo varet nga mënyra se si bëhet porosia për të goditur një person.

“Ka mënyra të ndryshme të bërjes së porosive. Ato bëhen për të vendosur lëndë shpërthyese në makina bosh, në makina të ndaluara apo në ecje, në banesa me njerëz apo banesa bosh” – u shpreh prokurori. Ai tha se ka pasur disa arrestime të grupeve që vendosin lëndë shpërthyese në automjete dhe po hetohet për këto raste.  Megjithatë, prokurori Beci nuk bëri publik sasinë e parave që paguhet për të goditur një person, në të tilla raste.

SHKARKO APP