Prokuroria, rekurs pafajësisë së Xhelal Mziut
Prokuroria i ka bërë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit për kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Apeli e shpalli të pafajshëm Mziun, ndërsa çështja tashmë ka shkuar në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Apelit e shpalli vendimin e pafajësisë më 22 prill, duke i shfuqizuar akuzat e ngritura ndaj tij për “shpërdorim detyre”.
Mziu u dënua më 10 prill 2015 me dy vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Mziu u arrestua më 20 dhjetor të vitit 2013, rreth 6 muaj përpara zgjedhjeve lokale. Ai u arrestua në një lokal në Tiranë nën akuzën se kishte favorizuar një kompani në një tendër për ndërtimin e një rruge në Kamzë. Mziu, akuzohet për pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i ri – Laknas.
“Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, Bashkia Kamëz, pas përfundimit të plotë të proçedurave ka shpallur fitues një shoqëri ndërtimi, të cilën më pas e ka skualifikuar pa dhënë një arsye dhe ndërkohë ia kishte dhënë të drejtën e ndërtimit të rrugës një tjetër kompanie. Ka qenë pikërisht kallëzimi penal nga shoqëria që u skualifikua në mënyrë të padrejtë nga gara që ka çuar në nisjen e hetimit dhe Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Xhelal Mziu dhe Atli Hoti, kanë kryer veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, sqaron Prokuroria në atë kohë.

