Protesta e 14-të radhazi kundër qeverisë, mijëra qytetarë marshojnë drejt Kryeministrisë
Nisi këtë mbrëmje, rreth orës 18:20, marshimi i mijëra qytetarëve nga sheshi “Skënderbej” drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas përpara Kryeministrisë, në kuadër të protestës së 14-të radhazi kundër qeverisë.
Tubimi ka mbledhur qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, si dhe emigrantë të ardhur posaçërisht për të marrë pjesë në protestë. Organizatorët e cilësojnë lëvizjen si një revoltë qytetare që synon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e kursit politik të vendit.
Fillimisht protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë, vendi ku prej dy javësh janë artikuluar kërkesat dhe pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje të shumta si “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”, slogane që janë bërë simbol i protestave të deritanishme.
Pjesëmarrësit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në arritjen e objektivit që kanë shpallur publikisht: dorëheqjen e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë vendosur përgjatë bulevardit dhe në zonën përreth institucioneve kryesore shtetërore, me qëllim garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e tubimit. Deri në momentin e raportimit, protesta po zhvillohet pa incidente.

KOHA JONË SONDAZH

