Kryeministri Edi Rama, në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, i bëri thirrje Bashkimit Europian të ndërmarrë një hap të guximshëm drejt integrimit të mëtejshëm të vendeve kandidate, pa cenuar procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi rëndësinë e këtij samiti, duke e cilësuar atë si një mundësi për dialog konstruktiv, shkëmbim pikëpamjesh dhe diskutim mbi të ardhmen europiane të rajonit.
“Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Bashkimi Europian duhet të tregojë më shumë guxim politik, duke përfshirë vendet kandidate rreth tryezës së përbashkët europiane.
“Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, deklaroi Rama.