
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj thotë se protesta e nxitur fillimisht nga çështja e Zvërnecit, shënon një moment historik dhe mund të sjellë ndryshime të mëdha në vend. Ai u shpreh se mbështetja për kryeministrin Edi Rama dhe PD-në ka rënë, duke paralajmëruar se pas kësaj lëvizjeje Shqipëria mund të mos ketë më të njëjtën klasë politike.
”Kjo është një protestë që i ngjan protestave të studentëve në Serbi. E njëjta gjë po ndodh edhe në Shqipëri. Të gjithë ne nuk e prisnim këtë protestë, të niste në qershor dhe me ato përmasa. Prisnim që të shuhej protesta. Ishte një moment historik. Ajo protestë nuk mbaroi dhe vazhdoi edhe sot.
Kishte pjesëmarrje edhe sot. Nuk ishte shumë e madhe, por ishte një protestë e vazhdueshme. Protesta vazhdon dhe mund të jetë një rrugëtim i gjatë. Protesta mund ta ndryshojë Shqipërinë përgjithmonë. Unë mendoj se pas protestës nuk do të kemi më të njëjtën klasë politike. Ne jemi përballë një ndryshim historik. Mbështetja për kryeministrin dhe për partitë e vjetra ka rënë”, tha Shehaj i ftuar në ”Të Paekspozuarit”.
