
Protestat në Shqipëri dhe pakënaqësia ndaj qeverisë kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” i ka kushtuar një artikull situatës në vend, duke vënë në fokus qëndrueshmërinë e lëvizjes studentore dhe përshkallëzimin e tensioneve mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Sipas raportimit të medias franceze, pas muajsh protestash, qytetarët vijojnë të kërkojnë ndryshim politik, duke e bërë të qartë se pakënaqësia e tyre nuk është shuar. Përkundrazi, përplasjet me policinë dhe masat e marra nga autoritetet duket se nuk kanë arritur të frenojnë mobilizimin qytetar. “Le Monde” ndalet edhe te reagimi i kryeministrit Edi Rama, i cili, përballë situatës së tensionuar, ka paralajmëruar masa të reja ligjore. Ndërkohë, protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e tij nga pushteti.
Një vëmendje e veçantë në artikull i kushtohet edhe klimës politike dhe gjendjes së demokracisë në Shqipëri, duke sjellë në vëmendje pakënaqësinë e akumuluar ndër vite dhe pritshmëritë e qytetarëve për një shtet demokratik dhe funksional. Media franceze përmend gjithashtu përkeqësimin e situatës që prej 13 tetorit, si dhe plagosjen e 28-vjeçarit Erjon Vishkulli, si një nga episodet që kanë shoqëruar përshkallëzimin e protestave.
Në reflektimin e saj mbi zhvillimet në Shqipëri, “Le Monde” sjell edhe zërin e qytetarëve, të cilët shprehin lodhjen nga një situatë e zgjatur politike dhe kërkesën për më shumë demokraci. “Një vend demokratik, pas 35 vitesh nga rënia e diktaturës komuniste në vitin 1991” mbetet aspirata që artikulli përcjell përmes zërave të protestuesve.
