Protestat nuk ndalen/Kushi: Universitetet s’janë mbyllur, mësim online veç një muaj
Edhe pse protestat e studentëve nuk kanë të ndalur, ku ata kërkojnë mësim në auditor e jo online, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, thotë se universitetet nuk janë mbyllur, por do të bëjnë mësim online për të paktën një muaj. Sipas ministres, mësimi mund të nisë në auditore në muajin dhjetor, gjithmonë nëse nuk ka një përkeqësim të situatës së pandemisë.
“Vendimi u mor vetëm për një muaj, dhe nuk duhet ta quajmë sikur u mbyllën universitetet, por vetëm për një periudhë pikërisht për të mos përhapur infeksionin. I mirëkuptoj që duan të jenë në auditore, por situatë është e tillë, rreziku është shumë i lartë dhe duhet të tregojnë durim”, sqaroi Kushi. Në të njëjtën linjë është marrë vendimi edhe për mbylljen e konvikteve. Nisur nga fakti se studentët lëvizin për të takuar prindërit, Kushi tha se kjo të sille një zgjerim të hartës së të prekurve, e për pasojë u mbyllën, por pagesat e bëra për nëntor do të shtyhen për dhjetorin”, tha ministrja.
Nuk përjashtohet skenari për të rikthyer online edhe parashkollorin, dhe për këtë Kushi tha se janë marrë masa. Megjithatë, ministrja është kujdesur të theksojë që situata është në kontroll.
“Në disa shkolla të vendit, po të bëjmë krahasimin e mungesave, ka qenë më shumë vitin e kaluar se këtë vit. Situata është në kontroll. Nëse do na duhet të kthejmë parashkollorin, ne kemi marrë masat kemi kanalin e dedikuar RTSH shkolla, për transmetimin e lëndëve mësimore dhe na ndihmon edhe nëse një nxënës mungon, se e ndjek mësimin në këtë kanal dhe kjo vlen jo vetëm për këta, por edhe ata që janë prezent në klasë, kanali rtsh shkolla do të vazhdojë edhe pas pandemisë. Kemi platformën, Akademi.al, filloi gjatë periudhës së karantinës, kemi një numër shumë të madh, pjesa më e madhe e mësuesve dhe nxënësve, ku janë temat e mësimit, akoma me më shumë funksione, ne po fokusohemi më shumë gjatë pandemisë, por do të vijojë edhe për më tej sepse është një tendencë kudo në botë që nëpërmjet programeve t’u vijmë në ndihmë nxënësve. Ne jemi të ndërgjegjshëm që mundësitë ekonomike nuk janë njësoj, ndalur te tablatet për nxënësit na janë gjetur shumë pranë edhe bizneset”, tha ajo për ”Report TV”.