Protestë për drejtësi për 21 janarin

Një grup aktivistësh të Organizatës Politike organizuan një protestë sot në Tiranë me rastin e katërvjetorit të 21 janarit 2011, kur gjatë një proteste të dhunëshme katër qytetarë mbetën të vrarë nga plumbat e Gardës së Republikës.
 
Grupi i vogël i protestuesve të rinj, të cilët i përkasin një grupimi të së majtës, akuzuan kryeministrin Edi Rama se ka tradhëtuar vetë arsyen e daljes në protestë më 21 janar 2011 duke bërë aleancë me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
 
“Nuk jemi këtu sot për t’u bërë subjekte nostalgjikë dhe të themi se çfarë ndodhi atë ditë. Është ajo ditë që nuk na lë rehat dhe nuk ka për të na lënë rehat derisa të gjejmë drejtësi”, tha Arlind Qori, një prej aktivistëve të protestës.
 
“21 janari është dita kur shteti vret të varfrit që ngrenë krye dhe guxojnë t’i kërkojnë llogari qeveritarëve. 21 janari është dita kur shtetarët kërkojnë të vrasin për të mbrojtur interesat e tyre. Ajo që dihet më pak është se 21 janari vazhdon në forma më pak spektakolare, por po aq tragjike,”  tha Denisa Sanxhaku, një aktiviste tjetër.
 
Duke e lidhur këtë datë me kryengritjen paqësore popullore ndaj kushteve të këqija të jetesës dhe varfërinë, aktivistët kujtuan se 21 janari shtrihet në përditshmërinë shqiptare që nga minatorët që humbin jetën në miniera deri tek studentët që vazhdojnë shkollën në sistemin problematik arsimor shtetëror.
 
“Ne nuk kemi ndonjë shpresë te qeveria. Qeveria dhe ky pushtet është vetë problemi. E vetmja mënyrë që na jep shpresë është organizimi i ri politik,” u shpreh Jani Marka, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe njëkohësisht aktivist i Organizatës Politike.
 
Foto: Ivana Dervishi/BIRN
Foto: Ivana Dervishi/BIRN
 
Aktivistët i rikujtuan kryeministrit Rama se arsyeja e protestës së 21 janarit 2011 qe publikimi i një videoje të regjistruar nga ish ministri Dritan Prifti, ku paraqitej Ilir Meta, në atë kohë Ministër i Jashtëm, duke urdhëruar manipulimin e një tenderi për hidrocentral me koncesion nën premtimin e një pagese korruptive prej 700 mijë eurosh si dhe punësimin e disa militantëve të partisë së tij.
 
Partia Socialiste organizoi një protestë pak javë pas publikimit të videos kundër korrupsionit në qeverinë e kohës. Protesta përshkallëzoi në dhunë me përleshje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Katër protestues mbetën të vrarë: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.
 
Prokuroria hapi hetime dhe ngriti akuzë ndaj dy punonjësve të gardës së Republikës, forcës ushtarake përgjegjëse për mbrojtjen e institucioneve kryesore të shtetit. Agim Llupo dhe Ndrea Prendi u akuzuan për vrasje me paramendim. Të dy u dënuan nga gjykata e Apelit me përkatësisht 3 vjet dhe 1 vit burg për vrasje nga pakujdesia dhe dolën të lirë pasi u konsiderua se e kishin ezauruar këtë masë dënimi në arrest shtëpie. Rekursi i prokurorisë në Gjykatën e Lartë pret shqyrtimin që prej një viti e gjysmë.
 
Kryeministri Edi Rama dhe familjarët e viktimave të 21 janarit 2011 duke vendosur lule në përvjetorin e katërt më 21 janar 2015. Foto: Gent Shkullaku/LSA
Kryeministri Edi Rama dhe familjarët e viktimave të 21 janarit 2011 duke vendosur lule në përvjetorin e katërt më 21 janar 2015. Foto: Gent Shkullaku/LSA
 
Ilir Meta dha dorëheqjen në atë kohë, ndërsa mori pafajësinë nga Gjykata e Lartë, e cila deklaroi se videoja e përgjimit nuk përbënte provë.
 
Ai nënshkroi një marrëveshje parazgjedhore me Edi Ramën më 1 prill 2013 dhe fitoi zgjedhjet bashkë me të në qershor 2013 kur mori edhe postin e kreut të Kuvendit të Shqipërisë. Organizata Politike është një grupim të rinjsh që ka protestuar për drejtësi çdo vit më 21 janar. Sllogani i tyre kryesor me rastin e protestës është: “Ne jemi kokëpalarë”, një term i përdorur nga Ilir Meta për të etiketuar Edi Ramën pas protestës së dhunshme të 21 janarit 2011.
 
Po sot, kryeministri Edi Rama vendosi një tufë me lule para zyrës së tij në përkujtim të katër të vrarëve. Ceremonia u zhvillua në heshtje. Pak më vonë, Ermonela Felaj, ministre për marrëdhëniet me parlamentin në qeverinë e kryeministrit Edi Rama, ia hodhi fajin sistemit të drejtësisë për mungesën e drejtësisë.

SHKARKO APP