Provimet e lirimit, nxënësit kanë ankesa: Përgatitja online nuk doli efikase
Nxënësit e klasave të nënta për pak ditë nisin përgatitjet për provimet e lirimit që do zhvillohen në muajin qershor. Marrja e njohurive herë online e herë në shkollë duket se u ka sjellë pasiguri. ”Deri tani jemi marrë me mësimet që kemi pasur, nga mesi i prillit besoj do fillojmë me tezat që kanë rënë në vitet e kaluara. Po kemi mësim të alternuar. E njëjta siç do kishte qenë nëse do ishim vetëm në shkollë nuk është, po shpresojmë të ketë rezultat”, u shpreh një nxënës.
“Në mësimin online përgatitja nuk është aq e mirë sa në shkollë, por ne po mundohemi të mësojmë”, tha një tjetër. Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Tiranë na tregon se gjatë provimit në klasa nuk do ketë më shumë se 10 nxënës.
”Duke qenë se jemi në situatën e Covid-19, ne si zyrë arsimore kemi marrë masa që të jenë qendra të cilat respektojnë të gjithë protokollin Covid-19. Që do të thotë largësia e nxënësve prej 2 metra nga njëri-tjetri dhe njëkohësisht jo më shumë se 10 nxënës në klasa. Qendrat e provimit do të kenë nga 120 deri në 253 nxënës”, u shpreh drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Tiranë, Erjeta Alhysa.
Ashtu si vitet e kaluara edhe këtë herë pritet që 60% e provimit të jetë me alternativa dhe 40 % me zhvillim, ndërsa ripërsëritjet e njohurive pritet të nisin javën e ardhshme. Provimi i parë që do të zhvillojnë nxënësit e klasave të nënta do të jetë në lëndën e gjuhës shqipe në datën 16 qershor, për të vijuar më tej me provimin e matematikës dhe gjuhës së huaj. Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta.